Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se menjëherë duhet të nisë kthimi i 2,1 milionë eurove të vjedhura nga Thesari i Shtetit, e për të cilat sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e ka pranuar fajësinë njëri prej të akuzuarve, Labinot Gruda.
Bajrami përmes një statusi në Facebook ka thënë se sot është ditë e madhe për drejtësinë, e cila duhet ta kryejë detyrën deri në fund, meqë i akuzuari e ka pranuar fajin.
“Kam pranuar me qindra mesazhe përkrahëse që kam DENONCUAR vjedhjen e 2.1 milionë eurove. Dhjetëra e qindra reagime nëpër rrjete sociale e kërcënime pse kam denoncuar. Sot, kur i akuzuari kryesor e PRANOI fajin, po e pranoj edhe unë një faj. Fajin se e kam DENONCUAR. Dje, sot, nesër dhe përgjithmonë do të bëj të njëjtin faj. Prapë, do të DENONCOJ secilin krim e secilën vjedhje që ndodh. Nuk jam dorëzuar dhe nuk dorëzohem as nga ata që kanë tentuar të më ndalin të flasë e denoncoj paligjshmëri e shkelje ligjore tjera. Prandaj, sot, është ditë e madhe për drejtësinë. Është ditë e madhe për Kosovën. Menjëherë duhet të nisë kthimi i parave në buxhetin e Kosovës. Drejtësia duhet ta kryejë detyrën deri në fund pasi i akuzuari ka pranuar fajin dhe ka hapur rrugën për sqarimin e 2.1 milionë eurove deri në fund”, ka shkruar Bajrami.
Labinot Gruda në seancën e sotme gjyqësore e ka pranuar fajësinë për vjedhjen e 2,1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, në tetor të vitit 2020.
Seanca e radhës ndaj tij dhe të akuzuarit tjetër Kadri Shala do të vazhdojë më 28 shkurt.