Një replikë e ashpër është zhvilluar ndërmjet kryeministrit, Albin Kurtit dhe shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj.
Pas përfundimit të fjalimit të kryeministrit, Albin Kurti, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka replikuar ndaj tij.
Haradinaj, i është përgjigjur fjalimit të Kryeministrit Kurti në Parlamentin e Kosovës gjatë seancës së jashtëzakonshme që po mbahet tani.
Haradinaj i ka bërë një pyetje Kurtit, i cili po paralajmëron reciprocitet të Serbisë dhe heqje të taksës 100%.
“Kosova është pjesë e kushtetutës së Serbisë. Cili është reciprociteti që ke me përdorë kundër kësaj?”, ka pyetur Haradinaj kryeministrin Kurtin, raporton lajmi.net.
Po ashtu, Haradinaj ka e ka përmendur edhe kryetarin e GP të VV-së, Rexhep Selimi, të cilin e ka quajtur mik të dikurshëm.
I ka bërë një pyetje se në emër të kujt po flet.
“Zoti Rexhep Selimi, a fole në emër tëndin, a të Isa Mustafës, apo Albin Kurti? A ka me pas reciprocitet para, apo pas heqjes së taksës”, ka theksuar ai.
Në anën tjetër, Kurti, i është përgjigjur Haradinajt, duke thënë se efekti i vetëm që kishte taksa, ka qenë ndalimi i pazareve për shkëmbimin e territoreve.
“Kështjella është kështjellë e familjes, është kështjellë e fisit. Shteti është më shumë. Shteti është më shumë e kështjellë. Ne duhet të kalojmë në ofensivë, nuk mund të fitosh ne defanzivë. Pra është e domosdoshme që shteti t’i përdorë levat e veta që janë shprehje e integritetit institucional e asaj çfarë ne duam. Unë një gjë e pranoj. Tarifa 100 për qind ka kontribuuar pozitivisht në ndërprerjen e pazareve dhe në parandalimin e ujdisë për shkëmbim territorial. S’ka dilema për këtë gjë. Pra këtu është vlera politike në mënyrë që të parandaloj diçka shumë të keqe. Por në kuptimin e parandalimit politik, ekonomik të vendit tonë efektet s’i ka as minimale. Unë natyrisht që jam njeriu më i zëshëm kundër shkëmbimit territorial dhe e di që ka pasur një ide se do mund të bëhet në mes të presidentëve edhe me mua si kryeministër një marrëveshje për shkëmbim territorial. Unë këtu deklaroj para jush se presidenti aktual i republikës së Kosovës nuk ka autorizim për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë dhe së dyti nuk ka fuqi implementuese për çfarëdo marrëveshje që mund ta imagjinoj ai. Kjo nuk do të ndodhë. E di që ka pasur një plan i cili është më shumë se ide që të bëhet heqja e tarifës 100 për qind në Kosovë dhe të nesërmen jo të fillojë dialogu por të përfundoj ai me një marrëveshje, por nuk ka ashtu. Taksa ka qeveri të re, rezultatet e 6 tetorit dhe 3 shkurtit dihen dhe nuk do të ketë shkëmbime territoriale, për parandalimin e së cilave unë e njoh kontributin e taksës 100 për qind”, iu përgjigj kryeministri Kurtit shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Haradinaj. /Lajmi.net/