Uran Ismaili prezantoi ekipin drejtues të PDK-së në Komunën e Prishtinës. Përmes një konference për shtyp, Ismaili tregoi që PDK ka emëruar për herë të parë një grua të përgaditur profesioniste dhe me vullnet për angazhim në shoqëri si nënkryetare të Kryeqytetit. Ai gjithashtu prezantoi edhe ekipin e katër drejtorëve nga radhët e PDK-së për katër vitet e ardhshme.
Ismaili tha se të gjithë të emëruarit në këto pozita janë figura të dëshmuara, profesionistë dhe me integritet, të cilët me angazhimin e tyre do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të Prishtinës.
Në rolin e nënkryetares së parë grua të Prishtinës, PDK ka emëruar Donjeta Sahatçiun, një profesioniste të dëshmuar për shumë vjet në sferën e menaxhimit, teknologjisë, komunikimit strategjik dhe ngritjen e kapaciteteve.
Në 10 vitet e fundit, Sahatçiu ka udhëhequr kompaninë “Rrota”, një ndër kompanitë lidere në Kosovë për teknologji dhe komunikim digjital, në rolin e drejtoreshës ekzekutive dhe si bashkëpronare.
Sahatçiu ka studiuar për menaxhim, ekonomi dhe politika publike në RIT Kosovo, ku edhe është përzgjedhur studente e gjeneratës (2012), dhe menaxhim e administrim biznesi (eMBA) në Sheffield University.
Për shumë vjet me radhë, Sahatçiu ka qenë promotore e digjitalizimit, rritjes së cilësisë në arsim dhe qasjes së të rinjëve në tregun e punës. Ajo është mentoruese e ekipeve të reja start-up dhe bizneseve në rritje. Si konsulente e çertifikuar në transformimin digjital ka ndihmuar edhe në fuqizimin e grave në fushën e teknologjisë.
Sahatçiu gjithashtu është zgjedhur dhe ka shërbyer vullnetarisht në misionin e disa organizatave.
-Kryetare e Bordit në STIKK (Shoqata e Informacionit dhe Teknologjisë në Kosovë) në dy mandate;
-Kryetare e Bordit në VentureUP (Qendra e Inovacionit në Universitetin e Prishtinës) në dy mandate;
-Anëtare e Bordit në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosovo) në dy mandate:
-Anëtare e Bordit në Këshillin e Konsulentëve të Kosovës (BCC) në një mandat.
Gjatë kësaj konference, Ismaili ka prezantuar edhe katër drejtorët nga radhët e PDK-së.
Ilirik Musliu do të jetë drejtor i shërbimeve publike.
“Gjithmonë kam besuar që shërbimet në sektorin publik duhet të kenë mendësinë, shpejtësinë, dhe efikasitetin e shërbimeve në sektorin privat. Me logjikën që qytetari i Prishtinës të jetë në qendër, shërbimet të jenë të shpejta dhe pa arsyetime, kam vendosur që këtë drejtori të ia besoj Ilirikut. Ai ka studiu për menaxhim biznesi dhe është ndërmarrës i sukseshëm që ka menaxhu disa prej kompanive më të suksesshme në Kosovë.”, ka thënë ai.
Drejtore e arsimit do të jetë Besianë Musmurati. Ismaili ka treguar se Besiana ka përvojë shumë-vjeçare në menaxhim dhe i njeh mirë shërbimin publik dhe politikat publike.
“Ajo ka qenë shefe e kabinetit tim në Ministrinë e Shëndetësisë, ku së bashku kemi punu për reforminimin e këtij sektori. Për më tepër, Besiana ka shërby si diplomate në Ambasadat e Kosovës në ëashington D.C. dhe Bruksel. Ka qenë promotore e rritjes së cilësisë në arsim, dhe gjatë punës së saj në ëashington D.C. ka ndihmuar në organizimin e panaireve që kanë pasë për qëllim të fuqizojnë lidhjet mes Kosovës dhe SHBA-së në fushën e arsimit.”, ka thënë Ismaili.
“Jam i lumtur që ekipit të udhëheqjes së Prishtinës i është bashku edhe Granit Rugova si Drejtor i Sportit. Ai ka studiu menaxhment dhe administrator sporti në FIBA dhe Northumbria Univeristy. Po ashtu, Graniti ka përvojë të gjatë në udhëheqjen e përfaqësueseve të Federatës së Basketbollit.”, ka thënë Ismaili.
Drejtor i bujqësisë do të jetë Plator Gërdovci.
“Platori është djalë i Prishtinës, ekonomist me shkollim dhe i zëshëm për zhvillimin ekonomik e promovimin e turizmit në Kosovë.”, ka thënë nënkryetari i PDK-së.
Gjatë ditëve në vijim Ismaili pritet të emëroj edhe udhëheqësin/en e Drejtorisë së Kulturës.