Më 21 janar Qeveria e Kosovës vendosi masa të reja kufizuese antiCOVID, pas rritjes së rasteve që pati në fillim të vitit 2021. Me masat e reja, ndalohet lëvizja e qytetarëve pas orës 22:00 deri në ora 05:00, e po ashtu kufizime ka edhe në sektorin e gastronomisë, ku pas orës 21:00 ndalohet së funksionuari ky sektor.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Telegrafin se sot kanë pasur takim ku është diskutuar situata epidemiologjike dhe që së shpejti ekspertët shëndetësor do të dalin me rekomandime.
Masat të cilat u vendosën nga Qeveria e Kosovës janë në fuqi deri më datën 4 shkurt, kurse pas kësaj date nuk dihet nëse do të vazhdohet me masat e njëjta.
“Sot gjatë ditës ka pasur një takim në të cilën është diskutuar situata epidemiologjike dhe masat kundër COVID-19. Ekspertët shëndetësor dhe përfaqësuesit e institucioneve relevante shumë shpejt do të vijnë me rekomandimet dhe sugjerimet e tyre për veprimet e mëtutjeshme”, bëri të ditur ai.
Ndryshe, masat e reja kanë prekur edhe ata që hyjnë në Kosovë, ku hyrja në territorin e Kosovës nuk mund të bëhet pa pasur tri doza të vaksinës kundër coronavirusit, e për këtë vendim ka pasur reagime të shumta nga qytetarët e vendeve fqinje.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, numri total i rasteve aktive në vendin tonë është 34 mijë e 208, kurse aktualisht në spitale janë duke u trajtuar 216 pacientë .
Rastet aktive më së shumti ka kryeqyteti, gjithsej 9,655 raste aktive. Pastaj, Pejë 2,925 raste aktive, Gjilan 2,323 raste aktive.
Prizren 2,184 raste aktive, Mitrovicë 1,978 raste aktive, Fushë Kosovë 1,693 raste aktive.
Gjakovë 1,648 raste aktive, Ferizaj, 1,605 raste aktive, Vushtrri, 1,142 raste aktive. Lipjan 1,124 raste aktive. Podujevë 884 raste aktive, kurse komunat tjera kanë numër më të vogël të rasteve aktive me virus.
MSH në vazhdimësi është duke u bërë thirrje qytetarëve që të vaksionohen kundër coronavirusit.