Një përgjim i ri nga mbledhjet e Lëvizjes Vetëvendosje është publikuar sot. Boiken Abazi dëgjohet duke i akuzuar disa anëtarë të LVV-së se kishin shkuar nëpër ministritë e Shqipërisë dhe e kishin paraqitur Albin Kurtin si të çmendur.
Edhe Boiken Abazi ishte pjesë e mbledhjes me shumë tensione që ishte mbajtur në fillim të vitit 2018, mes kryesisë dhe grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo ishte një nga mbledhjet e fundit, para përçarjes së madhe të kësaj partie.
Demokracia.com ka siguruar disa audio-incizime, ku zbulohen shumë gjëra rreth situatës në të cilën ndodhej partia asokohe dhe përplasjet që i kishin anëtarët me njëri-tjetrin.
Pjesëmarrës mjaft i zëshëm aty ishte edhe Boiken Abazi, kryetar i qendrës së këtij subjekti politik në Shqipëri. Ky i fundit, dëgjohet duke i akuzuar disa anëtarë të LVV-së se kishin shkuar nëpër ministritë e Shqipërisë dhe e kishin paraqitur Albin Kurtin si të çmendur.
Audio-incizimet e siguruara ekskluzivisht nga Demokracia.com zbulojnë shumë rreth përplasjeve mes anëtarëve të LVV-së. Boiken Abazi në këtë mbledhje të përbashkët kishte akuzuar Dardan Molliqajn dhe Besa Shahinin, tani bashkëshorte e tij, se kishin hapur një zyrë lobimi kundër Albin Kurtit në Tiranë.
Pa akuza, Abazi nuk i kishte lënë edhe shumë anëtarë të tjerë të LVV-së. Sipas tij, Albin Kurtin po e paraqisnin nëpër ministritë e Republikës së Shqipërisë si të çmendur.
“Tre persona të ndryshëm në Tiranë, figura publike, të tre më kanë thënë se Dardani bashkë me shoqen e tij janë përpjekur për të hapur një zyrë lobimi në Tiranë dhe kanë nisur diskutimet për të hapur një zyrë lobimi në Tiranë. Njëri prej tyre është i gatshëm të dëshmojë këtu para jush. Dy persona më kanë thënë se kanë ardhur në Tiranë, edhe disa prej jush që jeni prezentë, ka shkuar në një prej ministrive në Republikën e Shqipërisë dhe e ka paraqitur Albin Kurtin gati si të çmendur dhe jo vetëm në një ministri”, dëgjohet duke thënë Boiken Abazi, raporton Demokracia.com.
Ai pretendon më tej se ka pasur edhe sulme mes anëtarëve të LVV-së. Sipas tij, Dardan Sejdiu i kishte folur me ton të lartë deputetes Fitore Pacolli dhe ajo për këtë ngjarje i ishte ankuar vetë Boiken Abazit.
“Unë di nga Fitore Pacolli, që kur ka qenë duke grumbulluar nënshkrimet në Kuvend, toni i zërit me të cilin i ke folur asaj gjatë kohës sa ka qenë duke grumbulluar nënshkrimet, mund të them se nuk është toni i zërit të një kolegu dhe këtë mendoj se Fitorja duhet ta shpjegojë vetë”, thotë Abazi në audio-incizimin e siguruar nga Demokracia.com.
Këtu dëgjohet duke i ndërhyrë Dardan Sejdiu, ku i thotë se ka fakte se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.
“Shyqyr që ka qenë Glauku 30 centimetra afër meje, Boiken”, thotë Sejdiu.