Shkruan: Visar KASTRATI
Në Kosovë, çështja e mandatarit, është kthyer në një kurth të madh politik, dhe neni 95 i Kushtetutës së Kosovës është kthyer në një nen, i cili interpretohet dhe kuptohet në forma të ndryshme, veçanërisht në forma të interesave politike. Për çudi, disa avokatë famëmëdhenj në Kosovë, këtë nen, çdo vit e interpretojnë në forma të ndryshme, kjo si duket, ose vjen nga kuptimi më i mirë i kushtetutës ndër vite, ose nga meraku për t’ju hyrë në “qejf” partive në kohë të caktuara.
Narrativi i përdorur nga subjektet në lidhje me mandatarin, paraqet një narrativ të interesave vetanake dhe jo të respektimit të Kushtetutës, si akti më i lartë juridik i një vendi. Ne e dimë fare mirë që partitë nuk kanë ndonjë dëshirë të madhe të jenë në vijë me Kushtetutën e vendit, prandaj ka shkelje të shpeshta të saj nga të gjitha subjektet, pasi nuk respektohet. PDK-ja, si bartëse e procesit të hartimit të Kushtetutës, pa përmend emra të përveçëm të involvuar në këtë proces të hartimit, me qëllim kanë formuluar nenin 95 të Kushtetutës në formën siç është, pasi që e kanë ditur që pushteti politik nuk është konstant dhe do të ketë rënie politike, e cila pastaj mund të mbahet vetëm me bllokime kinse demokratike – kushtetuese.
Neni 95 favorizon dhe i jep një të drejtë fituesit, në mënyrë të padrejtë. Kjo qasje në Kushtetutë më shumë ngjason me vendet që kanë sundim dhe jo demokraci.
Se neni 95 i Kushtetutës është hartuar në kundërshtim me frymën e demokracisë dhe të republikës që mëton të jetë Kosova, është e qartë, pasi në demokraci sundon shumica dhe jo pakica, andaj nuk mund të ketë logjikë që i pari në zgjedhje ta ketë të drejtën e pakontestueshme, dhe të pa konsumuar, në zgjedhjen e qeverisë (mandatarit). E drejta në përgjithësi, në kuptim juridik, paraqet edhe një detyrim dhe humbje të asaj të drejte, jo vetëm në raportin kushtetues, por edhe në atë civil dhe penal. E drejta e parashkrimit, jo rastësisht, paraqet një institut të rëndësishëm të së drejtës, pra me kalimin e kohës ajo humbet, nëse nuk shfrytëzohet nga pala në harkun kohor të caktuar. Kjo qasje kushtetuese në asnjë vend demokratik nuk ndodh, pasi shumica parlamentare e ka të drejtën e udhëheqjes dhe fituesi fiton një të drejtë të zgjedhjes i pari, por jo i zgjedhjes në vazhdimësi.
Kryeministri në detyrë Albin Kurit, me të drejtë në një intervistë të tij e ka theksuar se, demokracia dhe republika nuk është një garë automobilistike, ku i pari ngreh trofeun dhe përfundon gjithçka. Përdorimi i foljes në nenin 95, paragrafi 1, që ka fituar shumicën e nevojshme, nënkupton partia që ka fituar zgjedhjet e ka të drejtën e propozimit të kandidatit dhe nuk ka ndonjë alternativ tjetër në Kushtetutë, aktualisht, pasi kjo është realizuar për interesa të PDK-së dhe është krijuar praktika ligjore nga zgjedhjet paraprake nga vetë Partia Demokratike e Kosovës, aq më shumë që disa eksponent të saj në shumë intervista kanë theksuar se vetëm partia që i ka fituar zgjedhjet ka të drejtë të krijoj qeverinë. Andaj, Albin Kurti ka të drejtë në kërkesën për zgjedhje në aspekt ligjor, por nuk ka të drejtë ne aspektin demokratik, ashtu siç e ka theksuar edhe vet, pasi nuk paraqet shumicën në kuvend dhe po bëhet pjesë e grupit që keqpërdorin dispozitat ligjore për interesa të veta. Ky nen sa më parë duhet të amendamentohet dhe të theksohet që, fituesi i zgjedhjeve e ka drejtën për formimin e qeverisë për herën e parë, ndërsa në rast dështimi, ajo e drejtë bartet tek i dyti nga presidenti i vendit brenda afatit ligjor prej 30 ditëve.
Kjo çështja e mandatarit përmes vendimit famozë të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me interpretimin e dispozitave për mandatarin dhe formimin e parlamentit e ka devijuar edhe më shumë, pasi në vendim theksohet se Presidenti në diskrecionin e tij dhe në ruajtjen e stabilitetit të vendit mund t’i shmang zgjedhjet dhe ta kaloj mandatarin te partia që e ka shumicën, jo që i ka fituar, pra në kundërshtim me nenin 95, paragrafi (1). Në zhvillimet aktuale dhe letrat të cilat po shkëmbehen mes Presidentit dhe Kryeministrit ka qenë evidente se Presidenti do ta kalon të drejtën në LDK, në kundërshtim me nenin 95, paragrafi (1) dhe në kundërshtim me praktikat e deritanishme kushtetuese. Me këtë veprim, Presidenti shkel kushtetutën, pasi në Kushtetutë nuk përmendet një afat i caktuar se kur duhet t’i përgjigjet Presidentit partia që e ka shumicën, si dhe theksohet qartë që partia fituese e ka të drejtën e caktimit të mandatarit. Kjo çështje me shumë gjasë do të përfundon në Gjykatë Kushtetuese dhe pak ka gjasa që kjo gjykatë të jep një qëndrim pro Albin Kurtit.