Rryma për pak ditë pritet të shtrenjtohet, kompanitë rajonale të ujësjellësve dhe ato të grumbullimit të mbeturinave kanë paralajmëruar nisjen e procedurave për këtë. E vetmja kompani publike që premton se nuk do të kërkojë rritje të tarifave, është ngrohtorja e Prishtinës, Termokosi.
Kryeshefi i Termokosit, Arsim Fetahu, thotë se të paktën këtë sezon nuk do të ketë kërkesë për rritje të tarifave.
Fetahu në një intervistë në emisionin “038”, tha se Termokosi po operon mirë dhe me kthimin në funksion të njësisë B2 të KEK-ut, është rritur edhe niveli i ngrohjes nëpër banesa.
“Nuk do të ketë kërkesë për rritje të tarifave. Jemi kompani publike në interes të publikut. Shpresoj që më nuk do të kemi probleme energjinë termike që marrim nga KEK-u. Nëse vije deri te ndonjë ndërprerje, kemi rezerva të mazutit për 7 deri në 10 ditë. Por natyrisht, niveli i ngrohjes nuk është i mirë”, ka thënë Fetahu.
Ai ka treguar edhe për planet e Termokosit. Ka thënë se do të vazhdojë rrjetëzimi nëpër lagje. Për pak javë, 141 objekte në Mati 1 do të përfshihen në rrjet, më pas gjatë vititi do të përfshihen edhe shumë ndërtesa në Qendër, Te Qafa, 60 ndërtesa mbi rrugën “Agim Ramadani” dhe ato në lagjen Ulpiana, që nuk janë pjesë e rrjetit.
“Ulpiana thuajse do të mbulohet 100 për qind”, tha ai.
Fetahu ka folur edhe për projektin e ngrohjes me energji solare. Sipas tij, shpejt do të përcaktohet edhe parcela.
“Studimi i parafizibilitetit është kryer, ndërkohë studimi i fizibilitetit do të përfundojë shpejtë dhe do të mësojmë më shumë. Besojmë se Tophanja dhe një pjesë e lagjes Arbëria do të mbulohen me ngrohje”, tha Fetahu.