Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, mban anën e Serbisë.
Kurti ka thënë të enjten se ushtruesi i detyrës së Shefit të Inteligjencës Kombëtare të ShBA-ve ka mbajtur pozicion të ngjashëm me atë të Serbisë në raport me çështjen e heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit.
Sipas Kurtit, Grenell nuk është në mesin e dy palëve, por në anën e Serbisë.
“Emisari amerikan Grenell nuk është në mes të Kosovës dhe Beogradit, është në pozicionin e Beogradit. Ai është në pozicionin e Beogradit në raport me heqjen e taksës dhe mos vendosjes së reciprocitetit”, ka thënë Kurti në emisionin Jeta në Kosovë.
Tri ditë më parë, në një konferencë online me mediat ndërkombëtare, Albin Kurti tha se ambasadori Richard Grenell, është i përfshirë drejtpërdrejtë në krizën aktuale politike në Kosovë.
Kurti tha se Grenell nuk po mbanë as tani një qëndrim neutral kur është në pyetje formimi i qeverisë së re.