Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se Ministria e Arsimit është e gatshme që të zhvillohet mësimi online në shkolla, nëse paraqitet nevoja. Kjo deklaratë vjen në kohën kur Kosova po shënon dita-ditës rritjes të rasteve me COVID-19.
Pupovci në një konferencë për media të premten, ka deklaruar se mësimet janë në dispozicion në transmetuesin publik, edhe në kanalet online të MASHTI-it.
“Siç e dini procesi mësimor ka filluar të hënën me skenarin e rikthimit të plotë në shkolla. Udhëzuesi i Ministrisë parasheh edhe 3 skenarë të tjerë. Edhe këtë vit jemi të gatshëm që mësimi të zhvillohet online nëse ka nevojë. Të njëjtat mësime janë në dispozicion në transmetuesin publik edhe në kanalin e masht në YouTube dhe në platformën e-Mësimi”, ka thënë Pupovci.
Ai ka kërkuar që të vazhdon vaksinimi kundër COVID-19, duke theksuar se 95% e mësimdhënësve janë vaksinuar por se kjo nuk ka ndodhur edhe me nxënësit.
“Vaksinimi është mbrojtja më e sigurt nga pasojat e infeksionit. Diku rreth 95 përqind e mësimdhënësve janë vaksinuar por kështu nuk mund të thuhet edhe për nxënësit. Ftoj të gjithë nxënësit mbi 12 vjeç që të vaksinohen sepse në këtë mënyrë i mbajmë shkollat e hapura”, ka thënë Pupovci.
Ai ka përmendur edhe fondin për punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, duke thënë se procedurat kanë nisur dhe se synohet që punësimi i tyre të bëhet brenda tre muajve të parë të këtij viti.
Ndërkohë, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, në Kosovë janë shënuar 427 raste të reja me COVID-19. Sipas njoftimit, po ashtu si pasojë e koronavirusit kanë vdekur 2 persona në 24 orët e fundit. Edhe numri i rasteve aktive ka shënuar rritje, duke kaluar në mbi 2,800.