Dy persona mbrëmjen e së enjtes kishin shtënë me armë zjarri drejt zyrtarëve policor në fshatin Dobërdol të Podujevës.
Deri të kjo kishte ardhur pasi të dyshuarit ishin futur në një shtëpi për të vjedhur, derisa në shtëpi nuk gjendej askush.
Pronarët e shtëpisë i kishin parë përmes kamerave të sigurisë personat që kishin hyrë në shtëpi dhe kështu e lajmëruan policinë të cilët dolën në vendin e ngjarjes.
Në tentim për t’i arrestuar të dyshuarit zyrtarët policorë u përballën me plumba, pasi të dyshuarit ishin të armatosur dhe shtien drejt tyre.
Nuk raportohet për të lënduar gjatë ngjarjes, ndërkaq sipas informacioneve të dyshuarit kanë arritur të marrin nga shtëpia stoli ari dhe gjëra të tjera të vlefshme për familjen.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti ka konfirmuar se dy persona kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policëve në fshatin Dobërdol të Podujevës.
Rasti ka ndodhur rreth orës 18:20.
“Rreth orës 18:20, kemi pranuar informatën se në një shtëpi në fshatin Dobërdol të Podujevës, me forcë janë futur katër persona të dyshuar. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të personave të dyshuar. Në ikje e sipër njëri nga personat e dyshuar ka shtënë me armë zjarri, nuk raportohet për persona të lënduar”, deklaroi Ahmeti për Telegrafin.
Tutje, ajo shtoi se policia janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Në lidhje me rastin ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Ai ka dënuar sulmin me armë zjarri ndaj policëve në fshatin Dobërdol.
Bulliqi ka thënë se sulmi me armë zjarri ndaj kujtdo qoftë është akt i papranueshëm, e veçmas kur ndodhë ndaj organeve të rendit.
“Kam pranuar informatën se gjatë mbrëmjes në fshatin Dobërdol janë sulmuar me armë zjarri pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Sulmi me armë zjarri ndaj kujtdo qoftë është akt i papranueshëm, e veçmas kur ndodhë ndaj organeve të rendit. Me këtë rast e dënoj ashpër sulmin e sotëm ndaj zyrtarëve policorë në fshatin Dobërdol”, ka shkruar ai në Facebook.