Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, tha se nuk e merr fare në konsideratë vendimin e kryesisë së PD-së për pezullimin e tij, pas pjesëmarrjes në protestën e 8 janarit. Shehu dhe një grup prej 20 anëtarësh, mes tyre edhe disa deputetë të tjerë, ishin në listën e të pezulluarve nga partia, një vendimi marrë ky nga kryesia e PD-së, në orët e para të mëngjesit të së martës. Ndërkohë Sali Berisha dhe 8 anëtarë të tjerë të PD-së, mes tyre 7 anëtarët e komisionit të rithemelimit, janë përjashtuar përgjithmonë nga partia.
“Për mua janë inekzistente, janë nul, sepse ato struktura nuk ekzistojnë. Detyra jonë është të ecim përpara në ato detyra që vendosëm së bashku, që synojnë të forcojnë opozitën shqiptare, jo ta shkatërrojnë atë”, tha Shehu në një intervistë për Ditarin e mëngjesit në A2 CNN.
Shehu tha se Basha dhe ata që e mbështesin, thjesht kanë rënë nën petkun e kryeministrit Edi Rama. “Edhe vendimi i djegies së mandatave ishte vendim i kalkuluar me Ramën, për t’i lënë hapësirë Ramës të ndryshonte ligjet, sipas dëshirës së tij. Pastaj e gjithë ecuria ka qenë njëlloj. Këto veprime hedhin dritë edhe në veprimet e së kaluarës. Vendimi më tragjik ka qenë djegia e mandateve. Kurse sa për “vendimin” e sotëm, është qesharak”, tha ai.
Shehu shtoi se vendimet e marra janë të tipit komunist. “Ata kanë mentalitetin e Enver Hoxhës, edhe sot imituan mbledhjet e dikurshme të byrosë politike, presin autokritikë nga ne. E kuptoni sa qesharake është. Mos u merrni me ta, PD-ja tashmë po forcohet dhe lufta me këtë regjim do të forcohet”, tha deputeti demokrat.