Policia e Kosovës bën të ditur se në 24 orët e fundit kanë ndodhur 82 aksidente trafiku, ndërsa janë shqiptuar 1,047 gjoba.
Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se kanë ndodhur 26 aksidente me të lënduar dhe 56 me dëme materiale.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka kërkuar kujdes të shtuar nga të gjithë drejtuesit e automjeteve gjatë kësaj periudhe me borë dhe ngrica.
Policia në një njoftim për media thekson se referuar reshjeve të borës dhe paraqitjes së ngricave nëpër rrugë, krijohet vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve, prandaj kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent.
“Posedimi i pajisjeve dhe gomave të dimrit është i detyrueshëm për të mundësuar qarkullim më të lehtë dhe më të sigurt me automjet gjatë kësaj periudhe.
Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet.
Policia e Kosovës me njësitet e saj po ndërmerr dhe do të ndërmerr masa ndaj atyre që bien ndesh me ligjin, me të vetmin qëllim reduktimin e aksidenteve dhe krijimin e një sigurie më të madhe në rrugët tona”, thuhet në njoftim.