Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë në terren për të parë gjendjen e shkaktuar nga bora dhe ngricat si pasojë e motit të ftohtë që ka mbajtur gjatë mbrëmjes të së dielës dhe tërë ditës gjatë së hënës në kryeqytet.
Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të vozisin me kujdes, teksa shtoi se pastrimi dhe hapja e rrugëve do të vazhdojë, pasi që të gjitha kapacitetet e komunës janë vënë në dispozicion.
“Edhe pse të gjitha kapacitetet e Komunës janë vënë në dispozicion të pastrimit të borës, jemi duke inspektuar vazhdimisht në terren, dhe ende kemi rrugë që paraqesin rrezik. Ju bëj thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes duke vozitë ngadalë gjatë qarkullimit me vetura. Ndërkohë, pastrimi dhe hapja e rrugëve do të vazhdojë”, ka shkruar Rama në një postim në llogarinë e tij në Facebook, të cilit i ka bashkëngjitur edhe pamje nga terreni.
Gjatë pasdites së sotme, edhe Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët, posaçërisht te vozitësit e automjeteve që të bëjnë kujdes në vozitje gjatë kësaj kohe me borë e ngrica.
Madje në njoftimin e saj, Policia ka paralajmëruar se do të ndërmerr masa për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që do t’i shkelin rregullat e trafikut.