Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat pas protestës së zhvilluar sot në selinë e PD nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Para komunikimit me gazetarët, Basha ka zhvilluar një tur bashkë me mediat duke treguar dëmtimet brenda selisë së PD-së nga protesta.
Basha tha se ishte paralajmëruar pushtimi i selisë së PD-së me forcë.
Ajo që nisi me pretekstin për një lëvizje demokratizuese, tregoi sot tha Basha, fytyrën e vërtetë.
“Beteja e Sali Berishës nuk bëhet për askënd tjetër pëveç vetes dhe në këtë betejë nuk kursen askënd”, tha kreu i PD-së.
Basha tha se “Berisha ka pasur sot, de fakto ditën e fundit politike në Shqipëri”.
Sipas tij, kjo është një mundësi për demokratët për t’u shkëputur njëherë e mirë nga “trashëgimia e tij e zezë”.
“Vula e kësaj tragjedia do të mbetet 8 janari”, deklaroi kreu i PD-së.
Basha tha se Berisha dhe Rama janë si dy vëllezër siamezë, ku njëri manipulon zgjedhjet dhe tjetri kërkon të përdor PD-në për t’u mbrojtur.
“Po i bën shërbimin më të mirë Edi Ramës, që nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij këto kohë”, tha Basha.
Kreu i PD vlerësoi punën e punonjësve të Policisë së Shtetit, por shprehu rezerva për rolin e drejtuesve të policisë. /EuronewsAlbania/