Policia e Shtetit mori në mbrojtje objektin e Partisë Demokratike. Ata i janë përgjigjur kërkesës së deputetëve të PD-së për të ndërhyrë pas rritjes së vazhdueshme të tensioneve.
Policia ka hedhur ujë dhe gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve për t’i shpërndarë ata.
Ndërkohë, disa nga protestuesit po shoqërohen edhe në Policinë e Shtetit.
Policia tashmë ka marrë në kontroll objektin e PD-së, ku brenda ndodhet Lulzim Basha dhe anëtarë të tjerë të kësaj partie.
Në protestën kundër Lulzim Bashës, janë lënduar disa persona, është përdorur gaz lotsjellës dhe mjete të forta për të hapur dyert e selisë.
Policia e Shtetit: Deputetë të PD-së kanë kërkuar ndihmën e Policisë
Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se një grup deputetësh i Parisë Demokratike kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit.
Policia thekson se është gati për të ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës.
“Policia e Shtetit u bën thirrje organizatorëve të protestës që të përmbajnë protestuesit dhe të shmangin çdo rast dhune, sepse do përballen me ligjin”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, selia e PD-së tashmë është nën mbikëqyrjen e Policisë.
Sali Berisha futet brenda selisë së PD-së, protestuesit marrin nën kontrollin katin e parë
Me tensione të shumta është duke vazhduar protesta e organizuar nga Sali Berisha para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Protestuesit kanë marrë nën kontroll katin e parë të selisë së PD-së, ndërsa Sali Berisha tashmë është futur brenda, transmeton Telegrafi.
Siç njoftojnë mediat në Shqipëri tashmë janë shtuar forcat e Policisë së Shtetit.
Deri tani një person është lënduar, ndërsa në protestë janë duke marrë pjesë qindra qytetarë.
Policia e Shtetit përmes një njoftimi për media thotë se deri tani nuk ka hedhur asnjë send të kundërligjshëm në selinë e Partisë Demokratike, gjatë protestës që është duke u zhvilluar.
Në njoftim thuhet se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin e sigurinë dhe u bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune.
Protesta para PD-së, Meta: Të gjendet zgjidhje e menjëhershme demokratike
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar sot në kohën kur po mbahet protestë para selisë së Partisë Demokratike, të thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha.
Meta thekson se protesta është e drejtë kushtetuese, por bëri thirrje për ruajte të qetësisë dhe shmangie të dhunës.
“Duke ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim zhvillimet në selinë e Partisë Demokratike, theksoj rëndësinë e protestës paqësore, si një e drejtë fondamentale në demokraci, plotësisht legjitime dhe kushtetuese, që duhet respektuar nga të gjithë!
Bëj thirrje për ruajtjen e qetësisë, shmangien e akteve të dhunës, provokimeve dhe tensioneve të panevojshme.
Është tepër e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme demokratike, që i shërben paqes sociale dhe demokracisë në vend”, tha ai, raporton Telegrafi.
Policia e Shqipërisë: Ne nuk kemi hedhur gaz lotsjellës
Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se asnjë nga strukturat e Policisë së Shtetit të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë nuk është përfshirë në asnjë veprim dhe nuk ka hedhur asnjë send të kundërligjshëm në selinë e Partisë Demokratike, gjatë protestës që është duke u zhvilluar.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune apo prishje e rendit dhe sigurisë, pasi do të përballen me forcën e ligjit.
“Sqarojmë opinionin publik se asnjë nga strukturat e Policisë së Shtetit të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë nuk është përfshirë në asnjë veprim dhe nuk ka hedhur asnjë send të kundërligjshëm në selinë e Partisë Demokratike, gjatë protestës që është duke u zhvilluar.
Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin e sigurinë dhe u bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune apo prishje e rendit dhe sigurisë, pasi do të përballen me forcën e ligjit”, thuhet në njoftim.
Goditet me gur një protestues, Berisha: Revolucioni është i pandalshëm
Sali Berisha është duke udhëhequr protestën para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Berisha para mediave deklaroi se janë paqësor, pavarësisht se xhamat e selisë tashmë janë thyer, transmeton Telegrafi.
“Jemi paqësor. Revolucioni është i pandalshëm, që do të çlirojë Shqipërinë. Dyert e shtëpisë do të hapen, nuk do të preken njerëzit. Lulzim hiq dorë nga dhuna”, deklaroi ai.
Në protestë janë duke marrë pjesë qindra qytetarë.
Kujtojmë se ish kryeministri Berisha, i ka lënë si ‘ultimatum’ kreut të PD, Lulzim Basha datën 5 janar, për të liruar ambientet e zyrës.
Tensione në protestë, hidhet gazlotësjellës brenda selisë së PD-së
E plotësuar: Brenda selisë së Partisë Demokratike është hedhur gazlotsjellës.
Ndërkohë, po vazhdojnë tentimet për të hapur dyert e zyrave të brendshme.
Është rapotuar edhe për thyerje të xhamave.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë: Nxitësit e dhunës do të mbajnë përgjegjësi
E plotësuar: Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, u ka bërë thirrje organizatorëve të protestës që të tërhiqen nga dhuna ose do të mbajnë përgjegjësi.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në Twitter, Kim ka shprehur shqetësimet e SHBA-së në lidhje me tensionet e krijuara në ndërtesën e selisë së PD-së dhe përdorimit të dhunës nga protestuesit.
Ajo ka thënë se nxitësit e dhunës do të mbajnë përgjegjësi.
Mbështetësit e Berishës hyjnë në selinë e PD-së
E plotësuar: Është hapur dera kryesore e selisë së Partisë Demokratike.
Mbështetësit e Sali Berishës kanë arritur që të hapin derën e fortifikuar dhe kanë hyrë në brendësi të saj, raporton A2.
Berisha niset drejt protestës, thirrje për vetëpërmbajtje
Sali Berisha tashmë i është bashkangjitur turmë së protestuesve, ndërsa theksoi se selia e Partisë Demokratike u takon demokratëve.
Ai më tej nga protestuesit kërkoi vetëpërmbajte.
Ish kryeministri Berisha më tej tha se do të mbetet protestë paqësore.
“I ftoj të gjithë të cilët do të shndërrojnë bunkerin në shtëpinë e lirisë, të ruajnë gjakftohtësinë…”, tha ai, njoftojnë mediat në Tiranë.