Bota tash e dy vjet është duke luftuar me pandeminë e COVID-19.
Luftimi i këtij virusi nëpër vende të ndryshme të botës ka filluar me vendosjen e masave si: izolimi, vendosja e maskave, mbajtja e distancës si dhe ora policore.
E në Kosovë po praktikohet edhe gjobitja për ata që nuk i respektojnë masat kundër COVID-19. Tiketa më e ulët që mund të marrin qytetarët për këtë shkelje të ligjit variojnë nga 35 deri në 500 euro. Për mosvënie të maskës dhe mosmbajtje të distancës dënimi mund të jetë 35 euro, për mosrespektim të ndalimqarkullimit 200 euro, ndërsa për mosrespektim të vetizolimit 500 euro.
Për periudhën nga gushti i vitit të kaluar, deri në dhjetor të këtij viti (28.08.2020-19.12.2021) janë gjobitur 303 mijë e 23 qytetarë.
Nëse e marrim minimumin e gjobës së vënë, pra 35 euro, i bie që në total nga xhepi i qytetarëve kanë dalë 10.605.805 euro.
Andaj për të parë se si kanë ndikuar këto gjoba në ekonominë familjare, për Klankosova.tv ka folur ekonomisti Mustafë Kadriaj, i cili ka thënë se qeveria duhet të bëjë një amnisti, pasi sipas tij qytetarët nuk është se kanë bërë shkelje flagrante të ligjit.
“Qytetarit duhet t’i jepen lehtësira, të mos ngarkohen me gjoba të tilla, pasi dihet si është situata ekonomike në vend dhe si ka ndikuar pandemia në këtë aspekt, ata nuk është se kanë bërë shkelje flagrante të ligjit, shumica prej tyre kanë qenë duke dalë ose shkuar në punë. Prandaj qeveria duhet të bëjë një amnisti”, ka thënë Kadriaj.
Edhe sipas njohësit të ekonomisë Safet Gerxhaliut, këto gjoba e rëndojnë ekonominë familjare pasi janë shumë më të larta se vetë ndihmat që i ofron qeveria. Sipas tij, duhet të bëhen më shumë kampanja vetëdijësuese për qytetarët e jo gjobitje e tyre.
“Vlerësoj se gjobat që i kanë dhënë apo i kanë paguar bizneset e qytetarët në këtë kohë pandemie janë shumë më të larta sesa vetë ndihmat që ata i kanë fituar nga shteti. Shteti duhet të ketë një qasje më tolerante dhe mbi të gjitha të ketë kampanja vetëdijësuese që bizneset dhe qytetarët të mos jenë gjithmonë objekt ndëshkimi, po përmes kampanjave të jenë në funksion të zbatimit të urdhrave institucionale”, ka thënë Gerxhaliu për Klankosova.tv.
Pra gjobitja e qytetarëve për mosrespektim të masave kundër COVID-19, nga ekspertët ekonomikë po shihet si e lartë për shkak të buxhetit të ulët të Kosovës, dhe po kërkohen kampanja vetëdijesuese apo edhe amnisti në këtë aspekt.