97 të vdekur në aksidente trafiku në Kosovë për 10 muaj

Dy të vdekur është bilanci i aksidentit që ndodhi mbrëmë në fshatin Zajm të Klinës, ku të përfshirë ishin një kamion dhe një veturë.

Në mesin e viktimave ishte edhe një fëmijë rreth moshës tetëvjeçare.

Në periudhën janar-tetor në aksidente trafiku në Kosovë jetën e humbën 97 persona në 86 aksidente që përfunduan me fatalitet.

Kështu thuhet në një përgjigje për Klankosova.tv nga Policia e Kosovës.

Sipas të dhënave të policisë, gjatë kësaj periudhe ndodhën gjithsejt 6 mijë e 259 aksidente me lëndime e ku u lënduan 12 mijë e 114 persona.

Po ashtu pati edhe 11 mijë e 172 aksidente me dëme materiale.

Policia e Kosovës thekson për Klankosova.tv vazhdimisht i ka zhvilluar aktivitetet e saj me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ngritjes së sigurisë në trafik.

Përgjatë kësaj kohe nuk mungoi edhe disciplinimi i shoferëve me masa adekuate.

313 mijë e 384 gjoba u shqiptuan në trafik nga muaji janar e deri në shtator të këtij viti.

Nga policia pati edhe masa tjera të rrepta ndaj vozitësve të papërgjegjshëm.

Njëra nga masat më të rrepta është konfiskimi i patentë-shoferëve.

5 mijë e 556 shoferëve iu ndalua drejtimi i mjetit me veprim motorik.

Gjatë kësaj kohe po ashtu shoferëve iu shqiptuan edhe pikë negative.

Nga kjo masë ndëshkuese gjatë muajve janar e deri në shtator pësuan 13 mijë e 532, njofton Klankosova.tv.