Ministrja Rizvanolli do të dërgojë dosje në polici për reduktimet e stërzgjatura

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se janë duke e përgatitur një dosje me të gjitha raportimet e qytetarëve për reduktimet më të gjata se dy orë e të cilën do ta dërgojnë në polici për hetim.

“Duke pasur parasysh që shumë qytetarë kanë shprehur dyshimet e tyre mbi vërtetësinë e problemeve teknike për reduktimet e zgjatura, Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur një dosje me të gjitha raportimet për t’i dërguar në Policinë e Kosovës për të hetuar rastin”.

“Ndër të tjera, në këtë dosje janë të përfshira edhe disa foto të cilat janë dërguar nga qytetarë ku vërehet heqja e disa siguresa nga trafot e rrymës, si dhe dyshimet nga ana e qytetarëve në lidhje me heqjen e qëllimshme të një faze në disa vende duke e zvogëluar ngarkesën e rrjedhimisht duke e bërë ngrohjen në disa vende jo funksionale”.

Ajo ka theksuar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për personat fizikë dhe juridikë të cilët e keqpërdorin krizën energjetike për përfitime personale, transmeton Klankosova.tv.

Rizvanolli ka thënë po ashtu se ka kërkuar nga Inspektoriati i Energjisë që të kenë angazhim të shtuar për të monitoruar situatën.

“Ministria e Ekonomisë së bashku me Inspektoriatin e Energjisë do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për t’i sjellur para ligjit të gjithë personat fizikë e juridikë të cilët shfrytëzojnë krizën e energjisë elektrike me të cilën po përballemi, si dhe reduktimet e planifikuara, për të penguar furnizimin me energji e trajtimin e barabartë të të gjithë konsumatorëve. Në një situatë si kjo na duhet mirëkuptim e solidarizim, por ja që zakonet e vjetra nuk harrohen lehtë nga keqbërësit të cilët krizat i shohin si mundësi përfitimi. Ndaj tyre do të veprojmë me forcën e ligjit”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.