Kurti: Qeveria do t’i ndajë 20 milionë euro KEK-ut

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se KEK-ut do t’i jepet likuiditet prej 20 milionë euro për ta mbuluar një pjesë të importit të energjisë elektrike. Në Deskun e KOHËS, ai ka folur për situatën me energjinë elektrike të cilën e përshkruajti si më të mirë se dje.

“Në mbledhjen nesër do propozoj në qeveri që t’ia japim një likuiditet prej 20 milionë euro KEK-ut që ta mbulojë një pjesë të importit të energjisë. KEK-ut sepse është ai që jo qeveria drejtpërdrejt me KEDS-in e KESCO-n, por besojmë se më së miri është këtë ta bëjë KEK-u, për shkak se për ne KEK-u është emri i prodhimit por edhe institucioni i energjisë në Kosovë”, ka thënë kryeministri.

Teksa vuri në theks thirrjen e Qeverisë për kursim të energjisë elektrike, Kurti tha se qëllimi është që krah çmimit të lartë të importit, Kosova të dalë me sa më pak humbje.

“Diku më shumë 1/3 e konsumit jemi duke e importuar dhe çmimi nuk është aspak i lirë për shkak të krizës energjike që ka përfshirë gjithë kontinentin. Kam thënë se po na troket në derë kriza energjetike dhe piku është 1.2 megavat dhe maksimumi që ne mund të prodhojmë është 900 megavat. Është zbutur ca situata, kemi bërë thirrje për kursim sepse duhet të jemi bashkë KEK, Qeveri, punëtorët dhe qytetarët që në këtë dimër dhe krizë energjetike të dalim me sa më pak humbje. Nuk u kemi thënë qytetarëve të racionalizojnë shfrytëzimin e energjinë elektrike, jo sepse në parim mendojmë se nuk duhet të shfrytëzohet energjia elektrike, por sepse çmimi i importit është i lartë”.

Kurti ka shtuar tutje se nuk mund të japë kurrfarë paralajmërimi nëse do të ketë shtrenjtim të rrymës në prill, pasi ZRRE-ja e përcakton atë. Ndërsa, foli edhe për strategjinë që Qeveria ka për energjinë elektrike gjatë vitit të ardhshëm.

“Në afatshkurtër do ta bëjmë strategjinë energjetike në 2022 që të mos kemi projekte para strategjisë, por të kemi strategji e më pas projekte. Duhet të dalim sa më shpejtë nga qymyri por nuk varet nga ne, shfrytëzimi i qymyrit nuk është gjë që ne e duam por na imponohet”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e përjashton gazin si formë për sigurimin e energjisë elektrike, por ka deklaruar se nuk mund të hyjnë siç ka thënë, ad’hoc në një projekt për të cilin nuk ka ekspertizë. Kurti ka thënë se ky projekt parasheh edhe ndërtimin e një termoelektrane për shndërrimin e gazit në energji elektrike, dhe e gjithë kjo do t’i kushtonte xhepit të qytetarëve.

“Ne nuk e kemi përjashtuar gazin në të ardhmen por nuk mund të hyjmë ad hoc në një projekt në të cilin shpenzimet operacionale janë 60% të shpenzimeve kapitale, ku nuk e kemi pas ekspertizën për gaz e ku duhet të ndërtohet një termoelektranë që gazin e shndërron në energji elektrike e ku në fund koston e paguan qytetari. Nuk dëshirojmë që të ngutemi që të hyjmë në gypa për gaz e mandej të mendojmë për strategji. Është gabim në hapa projekti para strategjisë. Më mirë është të mos nxitohemi, të mendojmë mirë dhe më pastaj të bëjmë gjëra të qëndrueshme sesa siç është bërë me ato projektet si Counter Global e të ngjashme”, ka thënë Kurti.