Në seancën e ditës së hënë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po dëshmon ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Guncati, ka deklaruar se dokumentet konfidenciale të dërguara në zyrat e OVL-UÇK-së kanë qenë kurth ndaj tij, por jo vetëm.
Prandaj sipas Gucatit, organizimi i konferencave për shtyp në shtator të vitit të kaluar menjëherë pas pranimit të dokumenteve konfidenciale nuk ka pasur synim publikimin e emrave të dëshmitarëve por të tregojë bashkëpunimin e Gjykatës Speciale me kriminelët serb.
Ish-kreu i OVL-UÇK-së, ka thënë se nuk e di si kanë rrjedhur dokumentet nga Specialja por ka theksuar se i ka ftuar hetuesit e Speciales që të zbulojnë personin i cili ka dërguar dokumentet në zyrat e organizatës.
“Të jem i sinqertë, dëshira ime më e madhe është që të zbulohet ky rast nga prokurorët e nderuar se kush i ka dërguar këto dokumentet në zyrat tona, mund të jetë njeriu i tyre që nuk dëshirojnë ta shfaqin, por dëshira ime më e madhe është që të zbulojnë njeriun që më qiti kurth mu me atë dokumentacion”, ka thënë Gucati.
“Ne kemi dashur të tregojmë që Gjykata Speciale po bashkëpunon me gjykatat serbe, bashkëpunon me disa kriminelë serbë, bashkëpunon me Milovan Drecun, kjo ka qenë arsyeja që ne kemi dashur të tregojmë të vërtetën tonë pse ne kemi kundërshtarë me këtë gjykatë”, ka shtuar ai.
Gucati ka folur edhe për rastin e parë kur në zyrat e OVL-UÇK-së janë dërguar dokumente që dyshohet se kishin rrjedhur nga Specialja.
“Jemi afruar paketës shumë ngadalë dhe me një shtagë e kemi shpaluar paketën, kemi hequr një pjesë dhe kemi parë që ka dokumentacione se nuk kemi guxuar t’i afrohemi paketës për shkak të frikës se mos ka ndonjë bombë. Kosova ende rrezikohet nga armiqtë e saj”, ka vazhduar Gucati.
Sipas tij dokumentet mund të kenë arritur nga një person i cili mund të shpërndante të tilla nëpër vende të tjera dhe përgjegjësia t’i mbetej organizatës, andaj Gucati ka thënë se kanë dashur që përmes mediave të heqin përgjegjësinë e këtyre dokumenteve dhe prandaj kanë ftuar mediat për t’i informuar rreth kësaj ngjarjeje.
Ai gjatë seancës ka potencuar gjithashtu se askush në OVL-UÇK nuk i kopjuar ato dokumente konfidenciale.