Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar dje se pritet që në javën e dytë të dhjetorit të ndodhë një takim në mes tij dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq në Bruksel, por për një gjë e tillë i mbetet të vendosin përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Josep Borrell dhe i ngarkuari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kurti në një konferencë për media dje, ka thënë se Borrell dhe Lajçak e vlerësojnë nëse ndo t’ua dërgojnë ftesat ose jo.
“Është diskutuar mundësia e një takimi të mundshëm në javën e dytë të dhjetorit në Bruksel me presidentin e Serbisë. Nuk kam kurrfarë informacioni që ka kushtëzime nga ndokush veç se vlerësimi se a duhet të mbahet një takim i tillë ose jo i përket ndërmjetësuesit, lehtësuesit siç e quajnë ata veten, përkatësisht zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe emisarit të tij Lajçak. Janë ata të cilët e vlerësojnë nëse na dërgojnë ftesat ose jo dhe jo çfarëdo kushtëzimi i palës tjetër“, tha ai.
Lidhur me këtë deklaratë të kryeministrit Kurti, nga Brukseli kanë deklaruar se nuk spekulojnë për skenarë të ndryshëm.
Kështu deklaroi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për Telegrafin. Ai shtoi se nëse do të ketë një takim të tillë, do të njoftojnë kur do të jetë e nevojshme.
“Nuk spekulojmë për skenarë të ndryshëm, por nëse kemi një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq për ta bërë të ditur, do ta bëjmë atë kur të jetë e nevojshme”, deklaroi Stano.
Deri më tani, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kurti është takuar dy herë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i tyre i fundit u zhvillua më 19 korrik, por palët nuk arritën ndonjë rezultat konkret.