Kryeministri Edi Rama këtë të enjte u vaksinua me dozën e tretë përforcuese kundër koronavirusit. Në fjalën e tij para gazetarëve kryeministri u bëri apel të gjithë punonjësve të administratës shtetërore që të vaksinohen, pasi do të vijë një ditë që nuk do të kthehen më në punë.
“Nëpunës të këtij shteti të vaksinohen se mund të vijë momenti që të ndalohen të shkojnë në punë pa pasur kartelën e vaksinimit online e s’do paguhesh nga taksat e qytetarëve pse s’duan të vaksinohen. U them gjithë atyre që kanë të bëjnë me hapësira publike në punën e tyre që të vaksinohen se mund të vijë momenti s’do lejohen të hyjnë në markete e dyqane, të gjithë atyre që kanë dyqane se mund të vijë momenti që do u mbyllet dyqani, e kështu me radhë të gjithëve. S’mundet dot që për shkak se një pjesë i bën karshillëk shëndetit të vet e të familjarëve. Unë nuk e kuptoj qartë nga gjithë çfarë po ndodh pas vaksinimit aq më tepër sot ku gjithë bota është e shqetësuar për variantin e ri por prapë së prapë është e sigurt që vaksina mbron”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se mund të merret vendimi për të mos lejuar të futen në Shqipëri të gjithë personat e pavaksinuar.
“Është e sigurt që vaksina mbron, shpëton jetën. Ata që janë të vaksinuar e kalojën lehtë sëmundjen, të pavaksinuarit përfundojnë në kthetrat e vdekjes. Mesazhi sot është i qartë. Ne po ndjekim të gjitha diskutimet me Komitetin përkatës dhe duke parë çfarë po ndodh, mund të vijë dhe vendimi që kush do të vijë në Shqipëri, duhet të tregojë që është i vaksinuar dhe nuk do lejohet të futen të pavaksinuarit këtu”, tha Rama.
Kryeministri më tej u bëri thirrje që njerëzit t’i besojnë shkencës dhe jo delirantëve në internet. Ai tha se vaksina kundër COVID-19 nuk të mbron nga infektimi, por nga vdekja.
“Unë bëra sot vaksinën e tretë me zgjedhje të rastësishme, sepse nuk e kuptoj dot se si në shekullin e 21 nuk i besohet shkencës, por disa delirantëve në internet. Nga Amerika në Australi, dhe u është hap goja atyre që s’kanë lidhje me humanizmin dhe shëndetin publik. Kjo është skandaloze dhe e turpshme, dhe ne vend ti besosh shkencës dhe fakteve, se vaksina të mbron nga vdekja, çfarë mund të thuhet tjetër sot. Ne kemi bërë çmos që mos ngarkojmë psikologjikisht e mos stresojmë sektorët e jetës në vendin tonë, duhet të jemi të qartë për një gjë, ne nuk mundet dot ta lëmë këtë situatë në rrjedhje të lirë të dalë ku të dalë se mbajmë përgjegjësi”, tha ai.