Lionel Messi është fitues i çmimit më të madh individual që u ndahet futbollistëve për vitin 2021 – Topi i Artë.
I përfshirë në garë me konkurrentë të shumtë, renditja e njëzet prej të cilëve u publikua më herët, kurse gjatë ceremonisë u tregua edhe lista e top-10, ai arriti ta kryesonte këtë listë.
Dhe në ceremoninë madhështore të zhvilluar në ‘Theatre du Chatelet’ në Paris të Francës, e fitoi çmimin më prestigjioz, Topi i Artë, i cili ndahet nga France Football.
Kjo është hera e shtatë në karrierën e tij të jashtëzakonshme që superylli argjentinas e fiton këtë çmim dhe tashmë ka dy trofe më shumë se rivali i tij i përbetuar, Cristiano Ronaldo.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Robert Lewandowski, ishte konkurrenti më i madh i Messit për trofeun e këtij viti, por polaku përfundoi i dyti.
Triumfi në Copa America besohet t’ia ketë dhënë shtytjen më të madhe 34-vjeçarit për të vënë një tjetër rekord historik në fitimin e çmimit më të madh individual për futbollistë.