Mikrobiologu Lul Raka, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka dhënë informacione për variantin e ri të COVID-19, variantin Omikron, raporton Gazeta Express.
Raka ka thënë se varianti Omicron ka një numër jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve krahasuar me variantet e mëparme – mbi 30 mutacione vetëm në proteinën xhembore. Këto proteina sipas tij janë çelës i virusit për të hyrë në qelizat e trupit tonë dhe njëkohësisht janë shënjestra kryesore e përgatitjes së vaksinave kundër COVID-19.
Si të ndaloni dhimbjet e kyçeve krejtesisht? Përdore çdo mëngjes
Me këtë rast, ai i ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen menjëherë e të mbrohen nga ky virus.
Shkrimi i tij i plotë:
VARIANTI I RI I KORONAVIRUSIT
- ÇKA ËSHTË OMIKRONI?
Ndryshimet gjenetike janë dukuri normale në biologjinë e viruseve. Viruset, sa më shumë që kanë mundësinë të shumëzohen, aq më të mëdha do t’i kenë gjasat për të pësuar mutacione dhe për të krijuar variante të reja të tyre.
Në mesin e këtij muaji, në Bocuanë dhe Afrikën e Jugut u zbulua një variant i ri i koronavirusit, të cilin OBSH e emërtoi Omicron (ose varianti B.1.1.529). Ky variant u bë dominues në Afrikën e Jugut për një periudhë të shkurtër kohore.
- PSE KA KRIJUAR SHQETËSIM ?
Varianti Omicron ka një numër jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve krahasuar me variantet e mëparme – mbi 30 mutacione vetëm në proteinën xhembore. Këto proteina janë çelës i virusit për të hyrë në qelizat e trupit tonë dhe njëkohësisht janë shënjestra kryesore e përgatitjes së vaksinave kundër COVID-19.
Ndryshimet e tilla masive të virusit kanë ngritur shqetësime se sa mund të ndikojnë ato në përhapje, pasqyrën klinike dhe uljen e efikasitetit të vaksinave përmes mbrojtjes nga antitrupat. Megjithatë, në mbrojtjen ndaj virusit ndikim të rëndësishëm ka edhe imuniteti qelizor.
Varianti i ri ka nxjerrë në pah tri pyetje që kërkojnë përgjigje shumë të shpejtë:
– Sa është i transmetueshëm varianti i ri? A përhapet më shpejt sesa varianti delta?
– A ka pasqyrë më të rëndë klinike?
– A janë antitrupat pas vaksinimit efikas dhe sa është rreziku i reinfektimit?
Aktualisht, nuk kemi përgjigje të sakta për këto pyetje dhe ato kërkojnë të presim së paku edhe 2-3 javë.
- ÇKA DUHET TË BËJMË?
VAKSINOHU! – Kushdo që nuk është vaksinuar ende, duhet të vaksinohet menjëherë. Duke u vaksinuar do të merrni linjën e parë të mbrojtjes kritike ndaj virusit dhe do të rritet imuniteti në popullatë. Rritja e sasive të përgjithshme të antitrupave (pas dozave të dyta dhe të treta përforcuese) mund të kompensojë mospërputhjen eventuale ndërmjet vaksinës dhe virusit.
DOZAT PËRFORCUESE TË VAKSINAVE! – Të fillohet sa më shpejt me dhënien e dozave përforcuese në Kosovë, duke filluar prej grupeve më të rrezikuara.
ZBATONI MASAT- PA PANIKË!- Reagimi në panikë do ta përkeqësojë gjendjen edhe tek popullata edhe tek vendimmarrësit.
Populli duhet t’i ZBATOJË masat parandaluese (distancimi social, mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura, shmangia e qëndrimit në ambiente të mbipopulluara, ajrosja e mjediseve të qendrimit ditor dhe larja e duarve).
Kurse vendimmarrësit duhet të fuqizojnë INSPEKTIMET e zbatimit të masave parandaluese dhe vendimeve në terren (përfshirë hyrjet në kufi), sidomos gjatë këtij muaji me festat e fundvitit.
NË NIVELIN GLOBAL, duhet t’u dërgohen vaksina atyre shteteve që kanë më së shumti nevojë.
Kompanitë që kanë prodhuar ARN-vaksina, brenda 2-3 muajsh mund të kenë variante të reja të vaksinave të drejtuara specifikisht kundër varianit të ri Omikron.