Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural brenda katër muajve ka ndarë një buxhet prej 3 milionë euro për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore për 3530 fermerë nga të gjitha Komunat e Kosovës.
Propozimi vendimi i dytë i MBPZhR-së për ndarjen e 1.7 milion euro është miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ku krahas kësaj në këtë mbledhje është aprovuar edhe pakoja e 19 projektligjeve të iniciuara nga Ministri Faton Peci, të cilat kanë për qëllim vendosjen e ligjshmërisë dhe drejtësisë, në harmonizim të plotë me zbatimin e sanksioneve kundërvajtëse në bujqësi.
Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Ministri Faton Peci, në konferencën e mbajtur për media, ka treguar seme aprovimin e këtyre propozimeve që u bënë sot dhe përmes masave të ndërmarra gjatë këtij mandati po mundësojnë që sektori i bujqësisë të zhvillohet e avancohet përmes politikave të duhura bujqësore.
“Me miratimin e propozim vendimit të sotëm, kemi mundësuar që brenda katër muajve buxheti për kompensimin e dëmeve në bujqësi e blegtori të arrijë vlerën prej 3 milionë euro. Nga ky buxhet, me 1.3 milion euro që rrjedhin nga propozim vendimi i parë kemi kompensuar 1070 fermerë përfitues për periudhën kohore Korrik – Dhjetor 2020, ndërkaq me 1.7 milion të aprovuara sot do të kompensojmë 2460 fermerë përfitues për periudhën kohore Janar – Tetor 2021”, ka thënë Ministri Peci, duke shtuar se përmes këtyre masave të ndërmarra po ua lehtësojnë veprimtaritë bujqësore fermerëve të dëmtuar.
Po ashtu, ai ka treguar se është aprovuar edhe pakoja prej 19 projektligjeve nga Kabineti Qeveritar, të cilat theksoi se kanë për qëllim realizimin e objektivave për të përmirësuar qasjen në bujqësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më të lehtë dhe efikas të legjislacionit dhe modernizimin e legjislacionit në përgjithësi në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
“Këto projektligje kanë për qëllim që t’i adresojnë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e autoriteteve përkatëse në Ministri, duke vendosur kështu ligjshmërinë dhe drejtësinë, në harmonizim të plotë me zbatimin e sanksioneve kundërvajtëse në bujqësi”, tha Ministri Peci.
Ndryshe, Ligjet e përfshira në këtë pako janë si në vijim: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/l-8 për Verërat, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/l- 9 për Ujitjen e Tokave Bujqësore, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/l- 10 për Përkujdesjen Ndaj Kafshëve, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. O2/l- 53 për Gjuetinë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/l- 85 për Peshkatari dhe Akuakulturë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/l-111 për Bletari, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/l-040 për Rregullimin e Tokës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/l- 120 për Mbrojtjen e Bimëve, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2004/13 për Materialin Fidanor, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2003/10 për Plehrat Artificial, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/5 i Kosovës për Farërat, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/l- 029 për Inspeksionin Bujqësor, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/l- 042 i Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/l- 041 për Prodhimin, Grumbullimin, Përpunimin dhe Tregtimin e Duhanit, Projekt ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/l-085 për Bujqësi Organike, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/l-114 për Pasurimin e Miellit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/l-127 për Regjistrimin e Bujqësisë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2003/9 për Kooperativat e Bujqve dhe Projektligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 2004/21 për Veterinarinë.