Mashtroi rreth 420 persona për viza pune jashtë vendit, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

Një person është arrestuar sot në Prishtinë, pasi i njëjti dyshohet se nga viti 2019 mashtronte qytetarët duke u marrë para e duke iu premtuar viza pune jashtë vendit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, mbështetur në rezultatet e para të hetimit, policia ka  ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimet mund të kenë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë  të gjatë kohore (që nga viti 2019).

Dyshohet se numri i personave të mashtruar nga i dyshuari mund të jetë rreth 420, të cilëve  i dyshuari përmes mashtrimit u ka marrë shuma parash duke ju premtuar viza pune jashtë vendit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës deri të arrestimi i të dyshuarit ka ardhur pasi në PK ishin raportuar dy raste të mashtrimit gjatë këtij viti.

“Referuar dy rasteve të mashtrimit të raportuara gjatë këtij viti ( gjatë muajve të fundit), Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht hetuesit rajonal, kanë ndërmarrë të gjitha masat policore në drejtim të hetimit, identifikimit, marrjes e përpunimit të informacioneve të rëndësishme që lidhen me rastet në fjalë. Së këndejmi veprimet e lartcekura policore kanë rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit: F.B.  51 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin dyshohet me bazë të jetë përfshirë në kryerjen e rasteve të mashtrimeve që po hetohen nga ana e policisë”, thuhet në njoftim.

Personi i dyshuar me vendim të prokurorit është  dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit rajonal po kryejnë veprimet e nevojshme policore.