Privatësia mund të duket si një mit në botën teknologjike që jetojmë sot, por ka prej atyre që besojnë se është plotësisht e arritshme si krijuesit e shfletuesit Brave.
I njohur për fokusin e veçantë në privatësi, shfletuesi Brave lansoi së fundi motorin e kërkimit Brave Search.
Është një motor i ri kërkimi që vendos privatësinë të parën. Nuk gjurmon kërkimet tuaja dhe ofron transparencë të plotë. Brave nuk mund të shesë të dhënat tuaja sepse nuk i grumbullon ato.
Brave Search gjithashtu është ndërtuar mbi një indeks të pavarur që do të thotë se nuk bazohet te rezultatet e kërkimit të Google ose Bing për të funksionuar.
Javën e kaluar motori debutoi në fazën beta dhe mesatarisht ka 80 milionë kërkime në muaj. Përdoruesit gjithashtu mund të kontribuojnë në përmirësimin e rezultateve të kërkimit.
Për këtë, Brave ka lansuar Web Discovery Project që iu jep mundësinë vullnetarëve të kontribuojnë të dhënat e tyre për të rritur cilësinë e Brave Search.
Në fund motori i kërkimit reklamohet si një anti-Google me të cilën shpreson të fitojë besimin e miliona përdoruesve.