Federata e Futbollit të Kosovës javën e kaluar shkarkoi përzgjedhësin Bernard Challandes shkaku i rezultateve të dobëta.
Humbja nga Gjeorgjia ishte vendimtare për shkarkimin e teknikut zviceran, që ishte në krye të Kosovës në katër vite, shkruan lajmi.net.
Gjatë kësaj javë ka pasur emra të shumtë që lidheshin me stolin e Kosovës, derisa së fundmi u raportua se tekniku italian Roberto Donadoni është në negociata me FFK-në.
Mediat lokale raportojnë se Donadoni është i hapur të marrë stolin e Kosovës, ngase e pëlqen skuadrën.
Por, kush është Roberto Donadoni dhe çfarë karriere ka si trajner?
Roberto Donadoni Cavalierei është një trajner italian, më saktësisht një ish mesfushor që kishte arritur suksese të mëdha te Milani.
Pas një karrierë të mirë si lojtar, Donadoni mori rrugën për t’u bërë trajner, ku ishte në krye te disa klubeve përfshirë edhe Kombëtaren e Italisë.
Donadoni e nisi karrierën si trajner në vitin 2001 duke marrë stolin e skuadrës italiane, Lecco, me të cilët zhvilloi vetëm 14 ndeshje, pastaj kaloi te skuadra tjetër, Livorno.
Pas plotë një viti te Livorno, për një kohë shumë të shkurtër Donadoni u largua duke kaluar te Genoa, mirëpo pas vetëm pesë ndeshjeve u shkarkua, kështu u rikthye sërish te Livorno.
Arritjen më të madhe tekniku italian ishte kur mori drejtimin e Kombëtares së Italisë pas dorëheqjes së Marcello Lippit. Mirëpo, debutim nuk ishte ashtu siç pritej, ngase në miqësore ndaj Kroacisë pësuan humbje 2-0, derisa pastaj edhe u mposhten nga Islanda.
Rruga drejtë “Euro 2008” me Italinë
Debutimi zyrtar i Donadonit me Italinë erdhi në kualifikimet për “Euro 2008”, duke nisur barazim me Lituaninë (1-1), pastaj u mposhten nga Franca (3-1).
Kritikat për teknikun italian u shtuan shumë, mirëpo pavarësisht tyre, Donadoni udhëhoqi Italinë në pesë fitore radhazi.
Mirëpo, pastaj nisën problemet, ku Donadoni u kritikua nga kapiteni i Romës, Francesco Totti dhe trajneri bëri shaka duke thënë që nuk e njeh.
Italia u kualifikua si lider në grup duke mposhtur Skocinë në fund.
Me 9 qershor 2008, Donadoni udhëheqi Italinë në humbjen më të madhe në histori të Kombëtares në 25 vite nga Holanda (3-0).
Sidoqoftë, Federata Italiane vazhdoi të i besonte dhe Donadoni arriti t’i kualifikonte deri në çerekfinale, aty ku u eliminuan nga Spanja në penallti (4-2).
Kjo ishte vendimtare për të ardhmen e trajnerit, që u shkarkua menjëherë dhe Lippi u zgjodh si pasuesi i duhur.
Pas një aventurë te Italia, Donadoni vitin tjetër mori drejtimin e Napolit që edhe aty nuk arriti të gjejë vendin e duhur dhe u shkarkua pas vetëm shtatë muajve.
Tutje, Donadoni ishte trajner edhe i klubeve si Parma dhe Bologna, derisa tani është në krye te skuadrës kineze, Shenzhen.
Formacioni i preferuar dhe mënyra e lojës:
Donadoni duke marrë parasysh se ishte një mesfushor ofensivë, i pëlqen loja e shpejtë dhe shpesh ka kërkuar nga mesfushorët të bëjnë pasimin e duhur në kohën e saktë.
Formacioni që preferon më së shumti është 4-2-3-1 dhe 4-3-3 sulmues (me një mesfushor ofensivë), derisa shumë rrallë luan defensivë (stili që i pëlqen në ato raste është 3-5-2).
Statistikat e Donadonit që kur është bërë trajner:
Sa i përket statistikave, tifozëve kosovarë nuk do t’iu pëlqejë shumë, ngase Donadoni numëron më shumë humbje se sa fitore dhe barazime që kur është bërë trajner.
Bazuar në Transfermarkt, italiani që nga viti 2001 ka udhëhequr skuadrat në 450 ndeshje, duke fituar 151 prej tyre, barazuar 119 herë dhe humbur plotë 180 herë.
Ndërkohë, nuk ka asgjë konkrete lidhur me stolin e Kosovës, ngase ka edhe emra të tjerë në listën e FFK-së.