Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ai nuk ka qenë kryeministër kur është nënshkruar Marrëveshja e Parë në Bruksel dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Ai thotë se ajo marrëveshje ka sanksionuar themelimin e Asociacionit.
“Në kohën kur është nënshkruar Marrëveshja e Parë në Bruksel dhe është ratifikuar në Kuvend në Prishtinë, (e cila ka sanksionuar themelimin e Asociacionit), Isa Mustafa nuk ka qenë Kryeministër i Kosovës. Prandaj rrjedhimisht dezinformojnë dhe gënjejnë të gjithë ata që ma përshkruajnë mua Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit”, ka shkruar Mustafa në Facebok.
Mustafa ka postuar vendimin e Kushtetueses, e cila përshkruan se më 28 maj të vitit 2013, Qeveria ka miratuar Vendimin Nr. 01/132, me të cilin “aprovohet Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes se pare ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës se Serbisë dhe të planit të zbatimit për ketë marrëveshje”. Në pikën 81. Thuhet “Me 27 qershor 2013, Kuvendi mbajti seance plenare, ku u votua dhe u miratua Ligji për ratifikimin, nr. 04/L-199. Nga deputetet e pranishëm, 84 votuan për, 3 ishin kundër dhe 1 deputet abstenoi. Në të njëjtën ditë, Ligji për ratifikimin iu dërgua Presidentes se Republikës se Kosovës për shpallje”. Në piken 82 të Aktgjykimin thuhet: “Me 12 shtator 2013, me Dekretin nr. DL-050-2013, Presidentja e Republikës se Kosovës shpalli Ligjin për ratifikimin”.
“Si Kryeministër i zgjedhur në dhjetor të vitit 2014, duke e respektuar Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, kam dialoguar për dokumentin e titulluar “Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore”. Ky dokument, për të cilin Gjykata Kushtetuese shprehet se nuk është as Ligj, as Statut dhe as akt juridik i Qeverisë, do t’i paraprinte Dekretit të Qeverisë dhe Statutit të Asociacionit. Dokumenti është nënshkruar më 25 gusht 2015. Elemente të rëndësishme të këtij dokumenti ishin pajtimi i Serbisë se dekreti dhe Statuti i Asociacionit do të trajtohen nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe Asociacioni do të mund të themelohet kur Gjykata Kushtetuese konstaton se është në harmoni me Kushtetutën. Kjo rregull do të vlente për çdo ndryshim të mëvonshëm të Statutit të Asociacionit i cili do t’i nënshtrohej vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese. Ekziston edhe letra zyrtare e lëshuar nga përfaqësuesja e lartë e Komisionit Evropian, Frederika Mogerini, në të cilin thuhet se sipas kuptimit të Komisionit Evropian Asociacioni nuk ka fuqi ekzekutive dhe nuk është pushtet i tretë. Nuk kam dialoguar se e kam dashur Asociacionin, por kam dialoguar për zbatimin e Ligjin për ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare në Kuvendin e shtetit tim”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se fakti se Serbia është pajtuar që statutin e Asociacionit ta trajtojë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, flet se në asnjë rast Asociacioni nuk do të bëhej në kundërshtim me Kushtetutën.
“Fakti se Serbia ishte pajtuar që Statutin ta trajtojë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, flet se në asnjë rast Asociacioni nuk do të bëhej në kundërshtim me Kushtetutën apo me ndryshim të kushtetutës, sepse referenca ka qenë te kushtetuta ekzistuese. Sidoqoftë Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin e saj të dt 21 dhjetor 2015 Rasti nr. K0130/15 vendosi që Asociacioni do të themelohet në bazë të Marrëveshjes së parë të vitit 2013, e ratifikuar me Ligj në Kuvend si marrëveshje ndërkombëtare. Të gjitha marrëveshjet dhe dokumentet e dakorduara me Serbinë iu referohen ligjeve (ekzistuese të Kosovës), kurse dokumenti për parimet i i vitit 2015 i referohej edhe Kushtetutës (ekzistuese) të Kosovës. Asnjëherë nuk është diskutuar ndryshimi i Kushtetutës. Në fakt Serbia kishte nënshkruar që Asociacioni të themelohet ashtu siç e konstaton Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ndërkaq, BE ka sqaruar zyrtarisht se Asociacioni nuk ka fuqi ekzekutive dhe nuk është pushtet i tretë”, ka shtuar Mustafa.
“Se a do të themelohet Asociacioni apo jo, se a do të zbatohet Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të vitit 2013 tani është në kompetencë të lidershipit të Kosovës. Por Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë se Asociacioni themelohet sipas Marrëveshjes së Parë të vitit 2013”.