Dogana mbledhë 1 miliard euro

Dogana e Kosovës ka shënuar një rekord të jashtëzakonshëm, duke mbledhur 1 miliard euro të hyra brenda nëntëve muajve.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm, Agron Llugalliu, kjo është hera e parë që Dogana e arrin këtë rekord që nga themelimi.

“Vetëm gjatë vitit 2021 për periudhën kohore 1 janar- 30 shtator, Dogana ka arritur të tejkalojë projeksionin e rishikuar te të hyrave për 6.51%, ndërkaq krahasuar me të hyrat e vitit 2020 për të njëjtën periudhe kemi një rritje për 33.74% të të hyrave të inkasuara e krahasuar me projeksionin për tërë vitin 2021 mund të themi se kemi arritur të grumbullojmë mjetet në lartësi prej 80% të buxhetit të planifikuar”, ka thënë Llugalliu.

“Rritja e të hyrave në mënyrë direkte i atribuohet zhdoganimit të rregullt të mallrave të deklaruara sipas procedurave të përcaktuara nga Dogana. Mirëpo, në këtë përformancë një ndikim mjaft të madh e kanë aktivitetet e orientuara në parandalim të kontrabandës, evazionit fiskal dhe korrupsionit si dhe dukurive tjera të cilat si indikatorë kanë shënuar rritje ne krahasim me periudhën paraprake. Në këtë drejtim, gjatë këtij viti janë arrestuar 13 persona të dyshimtë, 2 prej tyre janë zyrtarë doganore të cilët janë zënë në flagrancë duke lehtësuar kontrabandën me medikamente në njërin rast, ndërkaq në rastin tjetër njeri zyrtar doganor është arrestuar për mit marrje”, ka thënë tutje ai.

Dogana në fund ka falënderuar gjithë partnerët për arritjen e këtij qëllimi.