Fillon subvencionimi i kredive konsumuese, Murati tregon se kush mund të përfitojë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se ka filluar subvencionimi i kredive konsumuese.

Murati thotë se “sot kemi operacionalizuar edhe Masën 3.6 për mbështetjen e likuiditetit familjar që nënkupton subvencionimin e kredive konsumuese”.

Gjithashtu, ministri ka treguar se kush mund të përfitojë nga subvencionimi i kredive konsumuese.

“Të gjithë personat që marrin kredi konsumuese deri në shumën 10,000 euro, nga data 1 tetor 2021 e tutje, do të mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë”, tha ai.

Ministri Murati ka treguar edhe shumën e subvencionimit.

Shuma që përfiton secili aplikues që kualifikohet është 10% e shumës së kredisë, deri në maksimumin prej 300 euro.

Shembull:
Nëse kredia është 1,500 euro, subvencionimi do të jetë 150 euro;
Nëse kredia është 3,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro;
Nëse kredia është 5,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro.

Çka duhet të bëni për të përfituar?

Pasi të keni marrë kredinë nga një institucion financiar i licencuar, duhet të plotësoni formularin për aplikim (i cili do të publikohet ditët në vijim).

Pas konfirmimit të saktësisë së aplikacionit, subvencioni paguhet në llogarinë bankare të kredimarrësit.

Murati thotë se “me këtë masë synohet mbështetja e likuiditetit familjar, për të mbuluar shpenzimet sezonale familjare, shpenzimet e shkollës, apo edhe mbylljen e bilanceve të kredit kartelave, apo çfarëdo shpenzimi tjetër që sadopak do të lehtësonte barrën e familjes”.