Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtim të infrastrukturës së gazit në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas saj, kjo sepse “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik”, ndërsa nga ana tjetër “MCC-ja ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kontaktit”.
“Përballë afateve kohore të MCC ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, ka thënë ajo të enjten në një konferencë për media.
Njoftimi i Rizvanollit vjen dy javë pasi ajo u shpreh se Qeverisë i duhen të dhëna shtesë për planin e ndërtimit. Më 17 shtator ajo pati deklaruar se kostoja për shtetin, si dhe përputhshmëria me Ligjin për Ndihmën Shtetërore janë çështje të cilat kërkojnë sqarim para se të ecet përpara me gazsjellësin, parafizibilitetin e të cilit e kanë financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit.