Familjarët e pacientëve që po trajtohen në Klinikën Infektive të prekur nga COVID-19 janë shprehur të kënaqur me trajtimin e pacientëve në këtë Klinikë.
Ata kanë lavdëruar punën e mjekëve dhe infermierëve në Infektivë derisa i kanë quajtur heronj.
Gzim Hajrullahu i cili ka në trajtim nënën e tij në Klinikën Infektive në Prishtinë, tha se Klinika për COVID në Ferizaj nuk është nuk ia bëri trajtimin e duhur nënës së tij, dhe u detyruan t’a transferojnë në Prishtinë.
“Nënën këtu e kam, fatmirësisht mirë, mirë është në gjendje stabile, me të vërtetë trajtimi është shumë i mirë për çdo lëvdatë veçmas krahasuar me trajtimin në rastin konkret nëna ime ka pasë në Ferizaj në fillet e para të sëmundjes me Covid që ka qenë jo aq i denjë në kuptimin profesional, trajtimi i pulmologut lokal në Ferizaj me trajtimin e një polmologu këtu në Prishtinë është ekstrem në dallim, kam si apel thirrje njerëzve në rast të simptomave, sëmundjeve detyrimisht të drejtohen në Prishtinë se thashë që niveli lokal lë shumë për të dëshiruar, me të vërtetë janë heronj personeli i Infektives dhe përgjithësisht”, tha ai.
Një qytetar tjetër Leotrim Haziraj tha se xhaxhai i tij, 46 vjeçar e ka gjendjen e rëndë me COVID-19 dhe apelon për kujdes nga ky virus.
“Po e kam një mixhë, është në gjendje të rëndë, i ka edhe do elemente të tjera me sëmundje, por është edhe prej Covid, spitali është shumë mirë, gjendjen nuk e ka edhe mirë mixha por në dorë të Zotit, diku 46 vjeçar është, kërkesa ime është që mu ruajt sa më shumë populli se me të vërtetë është gjendje alarmante”, shtoi tutje.
E për qytetarët që po trajtohen në këtë Klinikë nuk ka mjaftueshëm mjekë e infermierë, por megjithatë këta të fundit po arrijnë të kujdesën për të gjithë të hospitalizuarit.
Infektologu Ilit Tolaj tha për Front Online se ende nuk ka numër të mjaftueshëm të infermierëve për të sëmurit e hospitalizuar.
Ai tha se një punë të madhe po e kryejnë përcjellësit e tyre.
“Të sëmurët më Covid ata që kërkojnë hospitalizim, në veçanti ata që janë në forma të rënda të sëmundjes kërkojnë një kujdes të vazhdueshëm rrjedhimisht me këtë asnjëherë nuk ka mjaftë staf për t’u përkujdesur në mënyrë optimale për këtë lloj kategorie të pacientëve, një pjesë e kujdesit është duke u mbuluar nga përcjellësit të cilët praktikisht po e kryejnë një punë që duhet të kryejnë edhe infermieret, përkundër përpjekjeve që autoritet po e bëjnë me e shtuar këtë numër ende nuk është numri i mjaftueshëm”, tha ai.
Infektologu Tolaj: Varianti “MU” nuk e ka potencialin, në Kosovë nuk është asnjë rast
Varianti i ri i Coronavirusit i njohur si “Mu”, ka arritur në disa vende të Evropës, por deri më tani në Kosovë, nuk është regjistruar asnjë rast.
Infektologu Tolaj për Front Online ka treguar se ky variant i ri dhe të tjerët 99% janë shkak i variantit Delta.
“Varianti ‘Mu’ është një variant i cili është zbuluar në janar të këtij viti në Amerikën Latine, është përhapur në 39 shtete. Ky variant nuk ka potencialin, ose nuk e ka treguar potencialin që t’ia zë vendin variantit ‘Delta’ prandaj edhe infeksionet në botë në veçanti në hemisferën veriore të globit në 99% të rasteve të shkaktuara nga Varianti Delta”, tha ai për Front Online.
Infektologu Tolaj thotë se ora policore dhe bartja e maskës në rrugë janë masa të panevojshme.
“Ajo që ka qenë kryesore ka qenë me ndërpre burimin kryesorë të përcjelljes së infeksionit që është dasmat, klubet e natës dhe kafeterit ku janë grumbulluar numri i madhe i rasteve për një hapësirë të kufizuar dhe që kanë qëndruar deri vonë me muzikë të gjallë për këtë arsyeje mendoj që këto masa mendoj që kanë ndikuar që numri të bie gradualisht, masat tjera janë shpeshherë të paarsyeshme dhe të panevojshme siç është bartja e maskës në hapësirë në rrugë apo ora policore mendoj që disa prej këtyre masave janë të panevojshme”, tha ai për Front Online.