Gërxhaliu: CEFTA, MSA, IPA s`kanë efekt pa liberalizim për Kosovën

Kosova është  i vetmi vend që nuk ka liberalizim të vizave me BE-në nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Edhe pse Kosova është pjesë e disa marrëveshjeve kontraktuale me BE -në dhe ka nënshkruar marrëveshje tregtare, mungesa e liberalizimit të vizave po shkakton probleme të mëdha tek bizneset.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu vlerësoi se është një padrejtësi  e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj që BE-ja po i na bën.

“Edhe pse ka pasur premtime të mëdha nga BE për heqjen e vizave, edhe më tutje qytetarët e Kosovës janë të getoizuar për hirë të politikës e cila në raste të caktuar është e korruptua dhe ndëshkon padrejtësisht qytetarët dhe bizneset e Kosovës”, tha ai.

Sipas tij në qoftë se kjo kohet nga Kosova zhvillim ekonomik dhe përshpejtim të proceseve integruese, edukim, standardizim, transfer të teknologjisë dhe sistemit know-how. atëherë lind pyetja si mund të arrijnë këto objektiva nëse je i kufizuar për të lëvizur.

“Vlen të theksohet se në të gjitha iniciativat rajonale, qoftë në CEFTA, në RCC, MSA, por edhe të tjera, Kosova është e pabarabartë nga problemet që i ka me Serbinë, por mungesa e liberalizimit po i ngadalëson të gjitha proceset dhe po e vë Kosovën në pozitë të palakmueshme dhe nga i cili pozicion Kosova po ngec”, tha ai.

Gërxhaliu vlerësoi se edhe Traktati i Romës i vitit 1958, Marrëveshja e Beneluxit, si dhe CEFTA janë ndërtuar në parime të barabarta edhe politike dhe ekonomike dhe i kanë përshpejtuar proceset zhvillimore.

“BE dhe donatorët ndajnë mjete dhe fonde për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës në forma të ndryshme, por mos liberalizimi dhe pamundësia për lëvizje po e bëjnë të pamundur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, ku lëvizja e lirë e qytetarëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit janë premisa kryesore për zhvillim që kosovarët në Ballkanin Perëndimore nuk i gëzojnë”, theksoi Gërxhaliu.