Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se janë hequr nga administrimi 133 mijë vaksina AstraZeneca, pasi u ka skaduar afati, raporton EO.
Vitia thotë se ky nuk është lajm i mirë dhe kjo ka ndikuar edhe në mos interesimin qytetarëve për ta marrë këtë vaksinë.
“Sot janë hequr nga administrimi 133.234 mijë vaksina AstraZenca që ju ka skaduar afati, ky nuk është një lajm i mirë dhe përveç te tjerash kjo ka ndikuar në uljen e interesimit për ta marrë këtë vaksinë, e ne kemi bërë thirrje vazhdimisht që të mos zgjidhet kjo vaksinë sepse nuk e kemi situatën që të zgjedhim. Pasi për ne siguria e vaksinave është parësore dhe nuk kemi pasur kompromise”, tha Vitia.
“Për ne siguria dhe cilësia e vaksinave është parësore prandaj nuk kemi pasur kompromis në këtë drejtim, dhe nuk do të kemi. Vaksinat që janë në stoqet tona janë të sigurta dhe për këtë garantojnë mekanizma si OBSH, ECDC, e mbi të gjitha EMA dhe FDA”.
“Ekipet e vaksinimit do të intesifikojnë punën dhe do të vazhdojnë punën edhe gjatë vikendit filluar nga vikendi i ardhshëm, pra jo nga ky vikend, por nga vikendi i ardhshëm. Ju bëj thirrje qytetarëce që të caktojnë termin për vaksinim”, tha Vitia.
Ai tha se ka mjaftueshëm vaksina, dhe presin edhe të tjera në javët në vazhdim.
“Aktualisht kemi mjaftueshëm vaksina, dhe nuk do të lejojmë që të ketë mungesë të tyre në stoqet tona, ku po presim akoma edhe vaksina tjera që do na dalin në ndihmë në këtë përballje me pandeminë.
108 mijë vaksina aktualisht janë në qendrat e vaksinimit theksoi tutje Vitia.
“Pavarësisht këtij lajmi, në vendin tonë ka vaksina mjaftueshëm. Deri në fillim të javës së ardhshme do të marrim 150 mijë vaksina nga Gjermania, dhe përveç kontratës së nënshkruar me Pfizer, dozat e të cilave do të vijnë në fillim të çdo jave, Republika e Kosovës vazhdimisht do të pranojë doza të shumta nga shtetet mike që janë treguar solidar që nga fillimi i pandemisë”.
Ai u përgjigj edhe sa i përket letrës së kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se përshëndesin çdo thirrje nga opozita pa dallime politike, duke shtuar se janë të hapur bashkëpunim.
“Ne natyrisht e përshëndesim çdo thirrje nga opozita që të kyçet në këtë çështje pa dallime politike, dhe jemi të hapur për bashkëpunim pasi kjo është betejë e ashpër, e këtë komunikim unë si ministër e kam përkrahur vazhdimisht e bashkëpunim është edhe kur nuk përhapen dezinformata për vaksina e të tilla gjëra”, deklaroi ai.