Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova po bën fushatë të çnjohjes së vetvetes duke lënë misionet kryesore diplomatike në vendet e botës pa titullarë.
“Do doja që të flisja për punët e qeverisë, sepse e kuptoj rotacionin demokratik si një proces të natyrshëm, sot je në pozitë e nesër në opozitë. E mira e së mirës do të ishte që kushdo që vjen nesër pas kësaj qeverie ta gjejë vendin në një gjendje më të mirë sesa që e ka lënë. Fatkeqësisht deri më tani nuk jam në gjendje të flas me qeverinë e tanishme në pika programore apo projekte të veçanta, sepse të tilla nuk janë prezantuar ende. Ajo çfarë kemi parë është një abstenim në qeverisje, posaçërisht kemi parë një abstenim në politikë të jashtme”.
“Ne nesër do të zgjohemi dhe Kosova do të ketë misionet kryesore diplomatike anekënd globit pa titullarë, pa ambasadorë. Në këto rrethana ne nuk kemi nevojë për një fushatë të çnjohjes nga Serbia. Ne po e çnjohim vetveten. Ne po refuzojmë të ushtrojmë sovranitetin tonë, të drejtën tonë, për përfaqësim në vendet e ndryshme anë e kënd botës. Kjo është e frikshme, sepse qeveria dhe presidenca kanë pasë kohën e mjaftueshme që të identifikojnë personat përgjegjës që do të ishin ambasadorë në vendet respektive”.
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, në Edicionin Special në Klan Kosova, tha se Kosova po dërgon mesazhe të gabuara duke mos dërguar ambasadorë fuqiplotë në vendet ku ka misione diplomatike.
“Një zyrtar i cili lihet i ngarkuar me punë nuk është njëjtë si një ambasador. Mënyra se si funksionojnë misionet diplomatike është që kanë protokoll. Aty ku mund të shkojë një ambasador fuqiplotë nuk mund të shkojë një zëvendës ose diplomat i rangut më të ulët. Kosova ka nevojë të jetë kudo. Ne në mënyrë të vullnetshme, mbase të papërgjegjshme, e kemi suspenduar një funksion shumë të rëndësishëm të shtetësisë. Në diplomaci kur nuk dërgon një ambasador fuqiplotë vendit nikoqir i dërgoni një mesazh. Nëse një vend I ftoh marrëdhëniet me një vend tjetër ata nuk dërgojnë ambasadorë fuqiplotë, por e lënë një të ngarkuar me punë. Akti tjetër pas kësaj është ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike”.