Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, njëherit nënkryetare e PDK-së, ka thënë se Qeveria e Kosovës po e pezullon politikën e jashtme.
Ajo ka thënë se nga sot shumica e ambasadave të Kosovës janë pa titullar, pa shef misioni dhe pa të ngarkuar me punë.
“Nga sot, shumica e Ambasadave të Republikës së Kosovës janë pa titullar. Pa shef misioni, dhe pa të ngarkuar me punë. Ka edhe ambasada të cilave u është vënë dryni. Kjo është papërgjegjësi totale ndaj shtetit. Kjo është suspendim i politikës së jashtme. Qeveria dhe Presidenca kanë pasur mjaftueshëm kohë që të përzgjedhin Ambasadorët. Nuk ka asnjë arsyetim. Papërgjegjësi ndaj shtetit dhe mungesë konsiderate për shtetin nikoqir. Në diplomaci, nëse e tërheqë shefin e misionit, pa dërguar emrin e pasuesit, një shtet dërgon mesazh”, ka shkruar Çitaku në Facebook.