Kina rishikon numrin e vdekjeve nga koronavirusi

Kina ka rritur numrin zyrtar të viktimave nga koronavirusi në qytetin më të prekur të saj. Autoritetet thonë se nuk bëhet fjalë për fshehje të rasteve por për vonesa në raportim. Prodhimi i vendit bie me 9.8 për qind në harkun e tre muajve.

Kina ka konfirmuar dyshimet e liderëve të ndryshëm botërorë se bilanci real i koronavirusit në vend mund të jetë më i lartë sesa ai zyrtar.

Të premten autoritetet e Wuhanit, qyteti kinez ku shpërtheu epidemia fundvitin e kaluar, e rishikuan me 50 për qind numrin e të vdekurve nga virusi apo me 1,290 raste plus, duke arritur mbi 3,800 gjithsej.

Në fazat e para, sipas zyrtarëve, për shkak të kapaciteteve të kufizuara dhe mungesave në staf, u vonuan raportimet nga qendrat shëndetësore, ndërsa disa pacientë nuk ishin reflektuar në pasqyrat përmbledhëse pasi ndërruan jetë në shtëpitë e tyre kur spitalet ishin të mbingarkuara.

Hipotezat për shifra më të rënda të pandemisë në Kinë qarkullojnë prej javësh të nxitura edhe nga pamjet e ndryshme të familjarëve në radhë për të mbledhur hirin e të afërmve të ndjerë.

Skepticizëm për bilancin zyrtar të Pekinit shprehu këtë javë edhe presidenti amerikan, Donald Trump, ndërsa homologu i tij europian, Emanuel Makron, shtoi se Kina mund ta ketë fshehur të vërtetën.

“Nuk ka të krahasuar mes vendeve ku informacioni rrjedh lirshëm dhe ku qytetarët mund t’i kritikojnë qeveritë, dhe atyre ku e vërteta shtypet. Zgjedhjet që Kina ka bërë dhe ku është sot, unë i respektoj, por të mos jemi bëhemi naivë dhe të themi se ajo e menaxhoi më mirë se ne këtë situatë,” u shpreh presidenti francez, Makron, në një intervistë për britaniken “Financial Times”.

Në Kinë ku edhe pati zanafillën pandemia Covid-19 janë raportuar një total prej 85 mijë personash bartës të koronavirusit, rezultat ky 8-fish më i vogël sesa ai SHBA-së dhe 5 shteteve të tjera europiane.

Pavarësisht se zyrtarisht vendi mendon se ka mundur ta kontrollojë përhapjen e sëmundjes, ekonomia e saj u godit rëndë në tremujorin e parë të vitit.

Tkurrja me 6,8 për qind në terma vjetorë dhe 9,8 për qind në tre muaj e prodhimit të brendshëm përfaqëson uljen më të fortë që nga Revolucioni Kulturor kinez i viteve 70.

Pas pandemisë, mbi 80 për qind e bizneseve të vogla dhe të mesme kineze në mars kanë rinisur punën dhe trendi ekonomik për të ardhmen e afërt deklarohet pozitiv.