Paris Saint-Germain (PSG), duket se ka pranuar humbjen në betejën e tyre për të mbajtur me çdo kusht Kylian Mbappen.
Sulmuesi francez ka injoruar edhe ofertën e fundit për të rinovuar kontratën e tij edhe për pesë vitet e ardhshme. Marrëveshja aktuale e francezit skadon verën e ardhshme, që do të thotë se PSG mund ta humbasë atë falas pas dhjetë muajsh.
Në këto kushte, klubi i Ligue 1 po përgatitet për shitjen e mundshme të lojtarit. Për rrjedhojë, PSG ka nisur të mendojë për zëvendësimin e Mbappes me Richarlison të Evertonit, që është i pari në listë, pas rekomandimit të drejtpërdrejtë nga Neymar.
Sipas RMC Sport, PSG nuk ka marrë ende një ofertë nga Real Madridi për Mbappen, por dëshira e lojtarit është që të transferohet në Spanjë.
Sulmuesi francez e ka njoftuar klubin parisien se ai nuk e ka në plan të nënshkruajë kontratën e re dhe në verën e vitit të ardhshëm mund të largohet si i lirë.
Gjatë kësaj jave, pritet ofertë formale nga Real Madridi për Mbappen, që besohet të jetë në 100 milionë euro.