Kosova në vendin e 13-të në Evropë për raste të reja pozitive për 100 mijë banorë

Numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë po vazhdon të rritet.

Të shtunën është raportuar për 1370 raste të reja me koronavirus dhe një rast me fatalitet.

Bazuar në statistikat e “Statista.com”, Kosova zë vendin e 13-të në Evropë për raste të reja pozitive gjatë shtatë ditëve të fundit për 100 mijë banorë.

Mestarja e Kosovës gjatë kësaj periudhe shtatëditore është 201.3 raste të reja pozitive për 100 mijë banorë. Përditësimin e fundit “Statista.com” e ka bërë më 13 gusht.

Sipas kësaj uebfaqe kryeson Gjeorgjia me 799.1 raste të reja, pasuar nga Qipro me 390.2 e Mali i Zi me 341.1.

Prapa Kosovës në listë janë vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut me mestarë 143.6 raste të reja pozitive, më pas Serbia me 72.6 raste, Sllovenia me 52.7 raste, Shqipëria me 46.3 raste e Kroacia me 38.2 raste.

Shifrat me raste pozitive në Kosovë kanë filluar të rriten dukshëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, ndërsa nga IKSHPK-ja është thënë se dominuese në Kosovë tash është varianti Delta i koronavirusit, një variant shumë më përhapës dhe që po i prek edhe moshat e reja. Madje për variantin Delta sipas hulumtimeve është thënë se është ngjitës gati sa lija e ujit.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë konfirmuar 115.151 raste pozitive me koronavirus, ndërsa 2280 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet. Janë shëruar 106.056 qytetarë, ndërsa janë 6815 raste aktive.

Vaksinimi masiv në Kosovë ka filluar në qershor. Që nga atëherë janë administruar 559.007 doza të vaksinave antiCOVID. 202.647 qytetarë janë vaksinuar me dy doza.