Jo rrallë herë artistët nga Shqipëria kritikohen nga fansat në rrjete sociale për përdorimin e dialektit të Kosovës gjatë interpretimit të këngëve të tyre.
Së fundmi edhe këngëtarja, Elvana Gjata, ka pranuar kritika të këtij lloji, pas publikimit të një seti fotografish në Instagram, ku kishte shkruar – “Se kur më sheh me crown. Like 1,2,3 e ke ron ti”.
Komentet në postimin e Elvanës, si përherë ishin të shumta, por mes mijëra sosh, një nga ta duket të ketë rënë në sytë e yllit të hitit “Loti”.
“A nuk mundesh me këndu një këngë me tekst dhe dialekt shqip se ke mbet tu këndu me tekst e dialekt të Kosovës. Gjithë kosovarët këndojnë me dialektin e tyre kurse ju starat e Shqipërisë e keni bezdi me këndu në dialektin e Shqipërisë”, ka shkruar një nga ndjekësit e Gjatës.
Ndërsa, edhe Elvana, kishte një përgjigje për këtë “kritikë”.
“Ndaje mendjen ku e ke hallin, me shqipen a dialektin pjesë e shqipes, apo me Kosovën, dmth me shqipen prapë”, i është përgjigjur Elvana komentuesit.
Ndryshe, viteve të fundit është vënë në trend këndimi i këngëve në dialektin gegë të artistëve nga Shqipëria duke i mundësuar atyre të jenë më të pranuar nga publiku shqipfolës.
Por, Elvana Gjata nuk është e vetmja që këngët e saj i sjellë të kënduara në dialektin e Kosovës, sepse pos saj ka edhe shumë artistë të tjerë të cilët ndjekin “të njëjtën formulë suksesi”.
Më e njohura për këtë mënyrë këndimi është këngëtarja, Enca, e cila pothuajse të gjitha këngët e saj ndër vite i ka sjellë me dialekt kosovar, ani pse është lindur e rritur në mes të Tiranës.
Artistë të tjerë që po vazhdojnë të ndjekin këtë trend janë edhe Samanta Karavella, Ronela Hajati, Stresi, Melisa Lleshi, Ardit Çuni e shumë të tjerë.