248 mijë e 747 persona, apo rreth 14 për qind e popullsisë, janë vaksinuar kundër COVID-19 deri tani në Kosovë.
Njohës të shëndetësisë thonë se numri i të vaksinuarve është shumë i vogël, aq më shumë kur vendi po rrezikohet nga një valë e re e COVID-19 e nga varianti Delta i këtij virusi, i cili po vlerësohet si më i rrezikshëm.
Në kohën kur varianti Delta i këtij virusi, i cili është vlerësuar më i rëndë se variantet tjera, po përhapet me shpejtësi në shtete të ndryshme, njohës të shëndetësisë shprehen të shqetësuar për numrin e vogël të qytetarëve të vaksinuar në vend.
Aq më shumë, ngritën shqetësime edhe për gjendjen e punëtorëve shëndetësorë, të cilët tashmë më shumë se një vit janë duke u përballur me pandeminë COVID-19.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për Express se vala e katërt e COVID-19 do të fillojë edhe në Kosovë, por se sa do të mund të menaxhohet, ai është shprehur se kjo nuk mund të dihet, për shkak që, sipas tij, punëtorët shëndetësorë janë të lodhur edhe fizikisht edhe psiqikisht.
Ai ka thënë se një valë e re e koronavirusit është e pashmangshme për vendin andaj edhe sipas tij Ministria e Shëndetësisë duhet të mendoj mëherët për të, e jo në shtator të thotë se i ka zënë në befasi.
“Unë i kam paralajmëruar se kjo valë do të vijë dhe duhet të përgatiten punëtorët shëndetësorë. Do të ndodh vala e katërta në Kosovë mirëpo se sa kemi me qenë në gjendje për ta menaxhuar nuk e di. Me të vërtetë punëtorët shëndetësorë janë të lodhur edhe fizikisht edhe psiqikisht. Ne jemi këtu dhe nuk e kemi qare pa e kryer detyrën tonë. Kishte me qenë mirë që Ministria e Shëndetësisë të mendoj e jo të vie shtatori e të thotë se na zuri në befasi. Indikatorët janë të gjithë, kemi parë që edhe në Shqipëri ka filluar varianti Delta dhe në shtetet tjera përreth, andaj është i pashmangshëm edhe te ne”, ka deklaruar ai.
Syla është shprehur i shqetësuar që nuk po rishikohen më shpesh masat e situata me pandeminë.
Ndërsa, ai ka thënë se nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë konsultuar me ta për gjendjen me pandeminë e as për punëtorët shëndetësorë.
“Ne insistojmë shpesh për të biseduar por këta janë të mbyllur, nuk duan të diskutojnë me federatën. Punëtorët Shëndetësorë janë të lodhur. Ata nuk kanë asnjë pik pushimi dhe dihet demotivimi që ka ndodhur në këtë kohë”, ka shtuar ai.
Duke parë situatën me pandeminë dhe rrezikun për një valë të re të COVID-19, infektologë në vend kanë bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen kundër COVID-19.
Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, ka thënë për Express se gjendja me pandeminë është e njëjtë në klinikë dhe se nuk ka rritje të numrit të pacientëve të infektuar me COVID-19 që kanë kërkuar trajtim në këtë klinikë.
Megjithatë, ai ka thënë se qytetarët duhet të vaksinohen sa më shpejt kundër këtij virusi.
“Situata në përgjithësi është e njëjtë siç ka qenë, nuk ka ndonjë rritje por vlen edhe më tutje apeli që njerëzit të vaksinohen sa më shpejtë”, ka shtuar ai.
Edhe vet ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se një valë e re e pandemisë mund të jetë e pashmangashme në vjeshtë.
Ai gjatë këtij muaji ka thënë se është e pashmangshme përhapja e variantit Delta në fund të muajit gusht, shtator apo tetor edhe në Kosovë, kur edhe mund të fillojë një valë e re e COVID-19.
Ndërsa, nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës kanë treguar se vetëm sot në klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 94 pacientë, 23 prej të cilëve të konfirmuar pozitiv me COVID-19.
Sipas SHSKUK’së, 1 pacientë është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 53 janë me oksigjeno-terapi.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë thënë dje se, nëse qytetarët nuk vaksinohen, mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor e rikthim të kufizimeve.
Nga IKSHPK janë shprehur se me vaksinimin e qytetarëve do të kalohet edhe vala e re e variantit Delta të COVID-19.
Varianti Delta i COVID-19 tashmë është përhapur me shpejtësi në shumë shtete.
Ai është prezent në Kosovë që nga muaji maj.
Varianti Delta vlerësohet se është afërsisht 60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, ose Kent.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar këtë variant se variant shqetësues i cili mund të përhapet më lehtë.
Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëruan se varianti Delta është “gati të kapë” të gjithë Evropën, pasi dhjetëra vende kanë hequr kufizimet.
Ky variant mund të kthej kufizimet në shumë shtete.
Mediat e huaja raportojnë se njerëzit e infektuar nga varianti Delta kanë dy herë më shumë gjasa të përfundojnë në spital se sa ata të infektuar me variantin Alpha.
Ndërsa, ashtu si versioni origjinal i këtij virusi, edhe varianti Delta është më i rrezikshëm për të moshuarit e personat që kanë probleme tjera shëndetësore.