Gërxhaliu: Pa stabilitet politik, Kosova nuk mund të ketë zhvillim ekonomik

Qeveria Kurti 2 së fundmi ka prezantuar pakon për rimëkëmbje ekonomike në Kosovë, në vlerë prej 420 milionë euro, përmes së cilës po synohet mbulueshmëria fillestare e dëmeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Lidhur me këtë, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu në një intervistë për Periskopin ka treguar se në çfarë situate gjendet Kosova, si qëndrojnë vendet e rajonit krahas shtetit tonë, si dhe flet për qasjen e Qeverisë karshi  çështjeve emergjente.

Gërxhaliu po ashtu ka theksuar se Qeveria Kurti po prioritizon çështje tjera krahas ekonomisë, për çka vlerëson se Kosova nuk mund të ketë as  stabilitet politik dhe as social pa zhvillim ekonomik.

Periskopi: Si e vlerësoni pakon për rimëkëmbje ekonomike të Qeverisë Kurti?

Gërxhaliu: E kuptojmë se 100 ditëshi i Qeverisë s’mund të jetë një shkop magjik i zgjidhjes së problemeve të grumbulluara nga  e kaluara. Në rend të ditës është e vërtetë se pandemia COVID-19 i ka lënë gjurmët e veta edhe në aspekt ekonomik, politik, integrues por mbi të gjitha emocional. E kur e shohim një paralele të asaj se çka kanë bërë vendet e rajonit  për biznese dhe qytetarë dhe sa e kanë pasur mundësi qytetarët për të shijuar dorën e shtetit, vërtetë Kosova ka arsye shumë më tepër për brengosje sesa të ecim në qetësi.

Periskopi: Ju e përmendët një krahasim me vendet e rajonit. Si qëndrojnë ato në aspektin e ringjalljes ekonomike?

Gërxhaliu: Në Mal të Zi janë investuar më tepër se 1 miliard e 400 milionë euro ndihmë, Shqipëria e ka kaluar numrin prej 1-3 miliard ndihma, Maqedonia po ashtu, ndërsa Serbia në të vërtetë e ka shfrytëzuar pandeminë nga një sfidë, e ka shndërruar në rikthim. Kosova që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020, ka pas dy pako; ajo e marsit dhe e tetorit. Totali i ndihmës së qytetarëve gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë 269 milionë euro, prandaj po shihet sa jemi larg dhe në këtë drejtim çdo angazhim për një pako të re, për një ndihmë konkrete, edhe për qytetarë edhe për biznese, veçanti për rimëkëmbje ekonomike, duhet të mirëpritet dhe duhet të mbështetet.

Periskopi: Sa kohë mendoni se do i duhet Kosovës për rimëkëmbje si pasojë e pandemisë?

Gërxhaliu: Janë disa indikatorë ekonomik të cilët kanë përjetuar një ndryshim pozitiv, qoftë të hyrat nga Dogana, qoftë nga ATK-ja, por në të njëjtën kohë kemi një stabilitet sa i përket investimeve të parave të trustit pensional  besoj që do të ketë hapa pozitivë sepse nëse vendeve të rajonit do i duhen dy vite për rimëkëmbje, e nëse nuk bëhet diçka më tepër për Kosovën dhe për biznes kosovar, do të na duhet dyfishi i kësaj kohe dhe Kosova nuk e ka këtë komoditet apo luks për të humbur kohë.

Periskopi: A mendoni që pakoja e fundit e Qeverisë Kurti për rimëkëmbje do të jetë mjaftueshëm e zbatueshme?

Gërxhaliu: Unë besoj që kjo sasi e parave e prezantuar është vetëm një pako fillestare se vërtetë ekonomia ka nevojë më tepër për ndihmë dhe duhet të mësojë nga përvojat e vendeve të rajonit, por në qoftë se do të kemi sundim të rendit dhe të ligjit, ndarje të tenderomanisë, besoj që 420 milionë euro ndihmë për qytetarët dhe biznese mund të grumbullohen dhe mund të jenë në funksion të një rimëkëmbje nga e cila do të ketë punësim, prodhim dhe do të ndikojë në secilin indikator ekonomik dhe është e vërtetë që për fat të keq në aspektin ekonomik Kosova ka mbetur një ndër vrimat e zeza në Ballkanin Perëndimor.

Periskopi: A ka Qeveria Kurti strategji të mirëfilltë për rimëkëmbje ekonomike?

Gërxhaliu: Në Kosovë nuk votohet programi dhe strategjia, por individi dhe partia politike. Në këtë drejtim para disa kohësh janë prezantuar vetëm objektivat, por dua të besoj se sa i përket pakos së rimëkëmbjes, do të ketë efekte pozitive. Mbi të gjitha duhet të ketë stabilitet politik sepse Kosova nuk mundet që nga mungesa e ligjeve vuan dhe i mungon implementimi dhe zbatimi i tyre.

Periskopi: A është dashur Qeveria Kurti të prioriziojë më tepër çështjen e ekonomisë?

Gërxhaliu: Është e vërtetë se nga fillimi i mandatit ka qenë ndër prioritetet e para vaksinimi dhe rimëkëmbja, por duhet të kuptohet se në realitetin kosovar dhe ballkanas shumë më tepër ndodhin revolucionet e paprituara  dhe me sa po e shohim, Qeveria aktuale shumë ma tepër po merret me korrigjimin e veprimeve të kaluara, shumë më tepër po merret tani me dialogun i cili është shndërruar në një presion na bashkësia ndërkombëtare, por duhet të kuptohet një send që Kosova nuk mund të ketë stabilitet politik dhe social pa zhvillim ekonomik dhe s’mund të ketë fokus të veçantë.

Periskopi: Cili sektor mendoni që do të mbetet megjithatë më i dëmtuari  si pasojë e pandemisë?

Gërxhaliu: Një sektor i goditur në Kosovë reflekton apo gjeneron efekte zinxhirore dhe negative, prandaj në këtë drejtim besoj që sektori i gastronomisë ka qenë më i godituri, por edhe sektorë të tjera dhe krejt kësaj shto faktin që kemi pas një rritje të importeve Kosova pëson edhe inflacion  dhe e bën më gjithëpërfshirës goditjen që ia ka dhënë pandemia Kosovës.