Partitë opozitare në Kosovë kanë qenë kundër vendimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për shkarkim të Valdete Dakës nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e megjithëse thonë se vendimi ishte anti-kushtetues ende askush nuk e ka dërguar këtë vendim në Gjykatë Kushtetuese ashtu siç pritej.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po i jep nënshkrimet për dërgimin e këtij vendimi në Kushtetuese, duke thënë se një gjë e tillë i takon Avokatit të Popullit.
Partia Demokratike e Kosovës në mbledhjen e nënshkrimeve deri më tani ka gjetur mbështetje vetëm tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq nuk kanë arritur ende të mbledhin mjaftueshëm nënshkrime që kjo çështje të vlerësohet nga Kushtetuesja.
Shkëmb Manaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se vlerësojnë se me dërgimin e vendimit të Presidentes në Kushtetuese është më mirë të merret Avokati i Popullit.
“Qëllimi është që të mos ketë presion publik te Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që Gjykata Kushtetuese të mos e trajtojë këtë çështje të pozitës dhe opozitës, është në kompetencë të Avokatit të Popullit. Ne presim që Avokati i Popullit ta kryej detyrën e vet dhe ta dorëzoj ankesën në Gjykatë Kushtetuese. Kërkesa është, po presim reagimin e Avokatit të Popullit, kërkesa ka qenë publike. ”, Manaj.
Telegrafi ka provuar të marrë një deklaratë nga Zyra e Avokatit të Popullit në lidhje me këtë çështje, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka filluar të mbledh nënshkrimet për të dërguar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka konfirmuar se mbledhja e nënshkrimeve ka filluar, teksa nuk bëri të ditur se sa nënshkrime janë mbledhur deri tani.
Ndërkohë, në Lëvizjen Vetëvendosje theksojnë se veprimi i presidentes Osmani ka qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore.
U.D e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se vendimi i presidentes Osmani ka qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore.
“Çdo gjë është në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore. Secili është i lirë të dërgojë organeve tjera për interpretim të vendimeve të instancave të ndryshme”, tha ajo pas njërës nga mbledhjet e kryesisë së Kuvendit.