Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, ka sqaruar se gjatë plotësimit të formularit për publikimin e pasurisë në Agjencionin Kundër Korrusionit, ka ndodhur një gabim teknik, dhe se ajo nuk posedon 6 milionë euro të gatshme në bankë por 6 mijë.
Rama-Hajrizi thotë se për këtë do t’i drejtohet zyrtarëve të kësaj agjencie.
“Duke respektuar gjithnjë të drejtën e mediave për informim dhe transparencë, për hir të së vërtetës dhe informimit të saktë të opinionit publik dua t’ju njoftoj se, ky nuk është lajm i saktë, meqenëse është i bazuar në të dhënat e shënuara gabimisht në formularin e deklarimit të pasurisë. Shuma e saktë e parave të gatshme është: 6,311.98 euro (pra 6 mijë), e jo 6 milionë. Bëhet fjalë për një lëshim teknik në plotësimin e Formularit të deklarimit të pasurisë, për ç’arsye unë nesër do t’u drejtohem zyrtarëve kompetent të kësaj agjencie që sa më parë të korrigjohet ky gabim”, thotë mes tjerash ajo në reagimin e bërë në Facebook.
Ndryshe, AKK kishte publikuar pasurinë e ish kryetares, e ku thuhej se ka mbi 6 milionë euro para të gatshme në bankë.