Afati i fundit për deponim të shpalljeve të kandidaturave për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është data 1 korrik.
Lajmin e ka bërë të ditur për Metron, zyrtari i kësaj partie, Betim Gjoshi, i cili tha se deri më tani nuk ka asnjë kandidat zyrtar.
“Afati i fundit për deponim-shpallje të kandidaturave është data 1 korrik”, ka thënë shkurt Gjoshi.
Ndryshe burime të Metros brenda PDK-së bëjnë me dije se janë dy kandidatë që janë duke e menduar shpalljen e kandidaturës. Bëhet fjalë për Enver Hoxhaj dhe Memli Krasniqin, të cilët ende nuk janë deklaruar publikisht.
PDK do ta zgjedhë kryetarin e ri të partisë më 3 korrik.
Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë prej fillimit të nëntorit të vitit të kaluar me ushtrues detyre të kryetarit, Enver Hoxhajn, pas dhënies së dorëheqjes të ish-kryetarit Kadri Veseli, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj këtij të fundit nga Gjykata Speciale.
Enver Hoxhaj ishte edhe kandidat për kryeministër nga PDK’ja në zgjedhjet e 14 shkurtit.