Fjalimi i Kurtit përballë gazetarëve, para takimit me presidentin Macron

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Presidencial “Elysee”. Pak para takimit, Macron dhe Kurti, ju drejtuan gazetarëve.

Fillimisht Kurti tha se është privilegj dhe përgjegjësi që të takohet si kryeministër i Kosovës me presidentin e Francës.

Tutje, ai përmendi edhe vizitën e presidentit të SHBA’së, Joe Biden, në Bruksel. Kurti gjithashtu tha se një situatë e re politike po krijohet.

Krejt në fund, Kurti ftoi presidentin Macron të vizitojë Kosovën.

“Jam i nderuar të jem këtu me ju, me presidentin e një shteti të fuqishëm. Është privilegj dhe përgjegjësi si kryeministër i shtetit më të ri në Evropë. Të jem para pallatit presidencial francez duke marrë parasysh se Kosova do të jetë gjithmonë pro aspiratave evropiane”, është shprehur Kurti. 

“Tanimë realiteti i ri ka përbërës të ri. Ju siguroj president se ne po i ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në Bruksel, sidomos pas ardhjes së presidentit Amerikan. Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet. Në një situatë të tillë ne do të kontribuojmë. Ndihem i nderuar që kam mundësinë të flas me juve, rreth zhvillimeve të Kosovës. Sado i vogël shteti ynë, ai ka përgjegjësi të ndërtojë vetën, si shtetet me histori, një prej të cilave është Franca”, ka thënë Kurti.

“Unë shpresoj shumë nga biseda me ju dhe ju ftoj të vizitoni shtetin tonë”, shtoi Kurti.

Ndërsa Macron ftoi Kosovën dhe Serbinë të gjejnë një kompromis që të drejtohen nga e ardhmja evropiane. 

“Unë i ftoj Kosovën dhe Serbinë për t’u angazhuar si evropianë në gjetjen e një kompromisi që do t’i bëjë Beogradin dhe Prishtinën të kthehen drejtë një të ardhmeje evropiane”, ka thënë Macron, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, para Pallatit Elysee.