Rasti i Eriksenit kthen vëmendjen te ngarkesa e lojtarëve nga numri i madh i ndeshjeve

Christian Eriksen ishte duke e luajtur ndeshjen e 66-të garuese, që kur rinisi futbolli pas pezullimit shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Kolapsimi i mesfushorit 29-vjeçar në pjesën e parë të ndeshjes hapëse të Danimarkës në Kampionatin Evropian, të shtunën, ndodhi disa orë pasi Unioni i lojtarëve të futbollit, FIFPRO, ripërsëriti shqetësimin e kamotshëm për presionin që po u bëhet anëtarëve të tij në sezonin e ngjeshur.

“Jemi të vetëdijshëm për intensitetin e kërkesave që po iu bëhen lojtarëve, fizikisht dhe mendërisht”, ka thënë FIFPRO në një komunikatë të publikuar gjashtë orë para se të niste ndeshja e “Euro 2020” në Kopenhagë.

Edhe pse ende është e paqartë se çfarë e shkaktoi krizën për shëndetin e Eriksenit, orari për shkak të pandemisë ka qenë larg nga idealja.

Edhe më tej, organet qeverisëse të futbollit, të nxitura nga top-klube si ai i Eriksenit, Interi, e kaluan shumicën e sezonit duke planifikuar ide për të shtuar më shumë ndeshje dhe më shumë gara në edicionet e ardhshme.

Erikseni ishte i përfshirë në 52 ndeshje për Interin në katër gara të ndryshme që prej 13 qershorit të vitit të kaluar. Ishte viti i tij i 12-të rresht në nivel të lartë, pas karrierës së kaluar te Tottenhami dhe Ajaxi, ku depërtoi si tinejxher.

Gjatë periudhës më të vështirë të pandemisë, ai shpesh u përdor si zëvendësues, por në shumicën e paraqitjeve ai jepte shumë nga vetja. Interi ishte nënkampion në Serie A dhe në Ligën e Evropës sezonin e kaluar, dhe e fitoi titullin e kampionit këtë sezon në Itali, ndërsa luajti në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve.

Lojtari më kreativ i Danimarkës ishte pjesëmarrës në të gjitha 14 ndeshjet e shtetit të tij këtë edicion, deri në ndeshjen hapëse në “Euro 2020” kundër Finlandës.

Erikseni ra pa ndjenja në fushë në minutën e 43-të në “Parken Stadium”.

Stafi mjekësor e trajtoi atë në fushë, ndërsa bashkëlojtarët qëndruan përreth duke e ruajtur privatësinë e tij. Erikseni ishte me vetëdije kur u largua me barelë dhe u kthye në gjendje stabile në spital. Më vonë ka folur me bashkëlojtarët e tij në formë vizuale.

Ndeshja e parë për Eriksenin në këtë sezon, po ashtu për Danimarkën në “Parken Stadium”, në Ligën e Kombeve kundër vendit të parë në renditje, Belgjikës, ka qenë më 5 shtator. Ishte vetëm 15 ditë pas finales së Ligës së Evropës në Gjermani. Më vonë u përdor si zëvendësues në humbjen e Interit 3:2 nga Sevilla.

Pushimi pas sezonit ishte shumë më i shkurtër sesa që ka kërkuar FIFPRO, e që ishte pesë javë. Erikseni luajti sërish për Danimarkën më 8 shtator, dhe iu bashkua Interit për ndeshjet miqësore para fillimit të Serie A më 26 shtator.

38 ndeshjet e ligës italiane kishin një muaj më pak sesa zakonisht. Edicioni përfundoi më 23 maj, kështu që lojtarët menjëherë iu bashkuan skuadrave përfaqësuese për “Euro 2020”.

Pavarësisht kalendarit të ngjeshur, Danimarka luajti edhe më shumë ndeshje, tri gjithsej në vend të dy dueleve, në tetor, nëntor dhe mars.

Ekipet përfaqësuese evropiane luajtën plejofin për “Euro 2020” me vonesë, më pas kualifikimet e Kupës së Botës u luajtën në muajin mars, sepse qershori ishte i zënë me “Euro 2020”, që u shty për këtë vit.

“Jemi të shqetësuar, të jemi të sinqertë”, tha javën e kaluar sekretari i përgjithshëm i FIFPRO, Jonas Baer-Hoffmann, për shkak të rrezikut të lodhjes dhe lëndimeve. “Por kjo është mbledhur për disa vjet dhe koronavirusi tani e ka bërë edhe më të dendur, më të ngjeshur”.

Ndeshjet pa pushim në mesjavë e fundjavë shuajnë thuajse çdo shpresë që lojtarët të marrin pushimin pesëditor ashtu siç preferon FIFPRO.

“Disa nga lojtarët elitarë kanë deri në 80% ndeshje që i luajnë me tri ditë pushim apo katër ditë”, ka thënë Baer-Hoffman. “Ky numër duhet të ulet”.

UEFA pritet t’u japë ekipeve të Ligës së Kampionëve 10 ndeshje për t’i zhvilluar në vend të gjashtë ndeshjeve, prej vitit 2024.

Kjo u bë për t’i qetësuar klubet, përfshirë Interin, që kërcënoi t’i bashkohej Superligës së Evropës.

FIFA duhet tani të punojë me zyrtarë të futbollit në gjithë botën për ta bërë një kalendar nga viti 2024 për t’i balancuar interesat garuese. Do të përfshihen edhe lojtarët.

Por presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mori lejen muajin e kaluar nga federatat anëtare për ta rishikuar propozimin e Arabisë Saudite për organizimin e Kupës së Botës në çdo dy vjet, dhe jo në çdo katër vjet siç është aktualisht.