223 mijë e 833 vetura të paregjistruara vazhdojnë të figurojnë në listën zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, këto vetura janë në këtë listë që nga viti 2000. Ndërsa vetëm gjatë periudhës së pandemisë, 51 mijë e 794 vetura nuk i kanë vazhduar regjistrimet, ky numër është rritur dukshëm krahasuar me vitin 2019
“Nga viti 2001 e deri në vitin 2021 numri i këtyre automjeteve që kanë qenë të regjistruara dhe nuk i kanë vazhduar regjistrimet është 223.833. Mirëpo duhet pasur parasysh se një numër i konsiderueshëm i tyre mund të jenë të shkatërruara apo edhe jashtë përdorimit. Ndërsa nga data 01.03.2020 deri më 26.05.2021 numri i automjeteve që nuk i kanë vazhduar regjistrimet dhe janë pa të drejtë qarkullimi në trafik është 51,794. Krahasuar me numrin e automjeteve që nuk janë regjistruar gjatë vitit 2019, konsiderojmë se ka rritje të numrit të automjeteve të pa regjistruara gjatë periudhës Mars 2020 – Maj 2021″, kanë thënë nga Ministria e Punëve të brendshme për Demokracia.com.
Ky numër i madh i veturave të paregjistruara dhe mos anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) po i pamundësojnë vendit të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër.
megjithatë, Byroja Kosovare e Sigurimeve i ka paraqitur së fundmi qeverisë aktuale disa alternativa, për zgjedhjen e kësaj çështje.
Drejtori Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, ka thënë për Demokracia.com, se fillimisht duhet të zgjidhen problemet e brendshme në bashkëpunim me institucionet përkatëse. Ndërsa shton kriter për Kartonin e Gjelbër është që vendi të ketë numrin e përgjithshëm të automjeteve të paregjistruara nën 5 pë rqind.
Ai ka bërë të ditur se që nga paslufta deri më 2020, 55 milionë euro janë dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara.
“ Ideja pse na kemi kërkuar me punu në vendim që me i ulë veturat e paregjistruara. Është normal që kjo e pengon këtë proces. Mirëpo duhet ditur që Kosova ka problem politik për anëtarësimin në Byronë Evropiane të Sigurimeve dhe pse na kemi kërku me ba zgjidhje është që në si Byro me pas liri, me pas një situatë të re ku ne shkojmë bisedojmë me një shtet tjetër dhe një shteti mik i kërkojmë më ba zgjidhje. Por nuk munden me na ba zgjidhje nëse ne themi që i kemi 365 mijë vetura të regjistruar në treg, ndërsa i kemi 208 mijë të pa regjistruara. Ne e kuptojmë që një pjesë e madhe e tyre mundën mos me qenë në trafik. Unë muj me konfirmu që nga 200/2020 ne kemi paguar 55 milion euro dame për automjete pasiguruara. Unë muj me ju konfirmuar që kemi dërguar në Ministrin e Punëve të Brendshme që udhëzimi i ri për vetura me ndryshu dhe me u pastru listat e automjeteve të paregjistruara. Sepse në listën e MPB-së figurojnë ende veturat e viti 200, 2004, 2008 etj. Ne kemi kërkuar që në lista me mbet vetëm sipas ligjit vetëm dy vitet e fundit. E nëse në dy vitet e fundit janë 70 mijë vetura, dhe është një dallim i madh më thënë i kemi 70 mijë vetura të paregjistruara dhe me thënë i kemi 208 mijë. Pra meqenëse janë shifra zyrtare ne duhet me ju referu atyre. Në momentin që ndryshon atëherë ne e kemi një situatë të re edhe njëjtë qysh e kemi përafruar me Malin e Zi dhe jemi në prag të nënshkrimit të marrëveshjes. Nesër pas nesër shkojmë tek një shtet më i madh siç është Gjermani ose Zvicra. Por duhet të ndryshoj situata. MPB në bazë të ligjit për trafikun rrugor, ku thuhet se në bazë të ligjit, çdo veturë e cila nuk është e regjistruar. Ajo veturë llogaritet teknikisht si jo në rregull për të dal në trafik. Që i bije në bazë të këtij neni. MPB çdo veturë e cila nuk është regjistruar dy vite më shumë në mënyre automatike mund ta heq nga lista e regjistrave zyrtar sepse neve po na shkakton probleme. Nuk e keni idenë sa ka interesim edhe te institucioneve tjera, se pse është ky numër kaq i lart”, ka thënë Mazreku.
Ndërkaq, tash e shumë vjet qytetarët e Kosovës para se t’i regjistrojnë automjetet e tyre janë të detyruar që të paguajnë taksë komunale, si pagesën e tatimit në pronë, si dhe gjobat e trafikut.
Për këtë, drejtori Mazreku ka kërkuar heqjen e këtyre kushtëzimeve.
“Unë si drejtor i ri i Byrosë, nuk e kam ndërmend me thanë që OKB-ja është, unë du me thanë që na ndihmoni që t’i zgjedhim problemet e brendshme dhe të bëjmë një zgjidhje alternative. Na po themi që duhet me harxhu energji diku tjetër sepse deri ne Byronë për karton e Gjelbër është problem me shku edhe pse Banka Qendrore i ka plotësuar kërkesa e Byrosë për karton të Gjelbër, kur me ligj e ka themeluar Byronë, kur me ligj i ka obliguar, mirëpo që në fund marrëveshja nuk ka ndodhur sepse ka dalur problemi politik. Prandaj vazhdimisht kamë kërkuar që t’i kryejmë disa problem të brendshme. Sot në njërin prej komisioneve parlamentarë ka kaluar propozim ndryshimi i ligjit të automjeteve, te ky ligj ne kemi kërkuar që të hiqen kushtëzimet për regjistrimin e veturave. Çdo veturë mos me pas nevojë me i pagu gjobat. Ne nuk jemi kundër pagimit të gjobave, por kjo mos të kushtëzohet me regjistrimin e veturave. Dhe kemi kërkuar që bartja e pronësisë, kur një person e shet veturën dhe ka ende regjistrim, pjesa e mbetur me ju transferu pronarit të ri. Me këtë ndryshim qytetarët kursejnë rreth 15 milionë euro dhe në anën tjetër kemi më pak vetuar të paregjistruara”, ka thënë Mazreku
Kartoni i Gjelbër, vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).