Shkruan: Sadik Zeqiri
Nata e 10 qershorit në burgun e Lipjanit ishte natë e zakonshme sikurse netët e tjera. Dëgjoheshin krisma të armëve dhe britma e këngë çetnike. Ishte ora 3:00 e mëngjesit e asaj nate. Me drita të ndaluara, përveç baterive që i mbanin në dorë, disa gardianë hynë në dhomën numër 1, në pavijonin B ku ishim të futur. Në këtë dhomë ishim 50 të burgosur në një hapësirë prej 20 metrash katrorë. Meqë kishim hyrë të parët në atë dhomë më 24 maj 1999, unë e Agron Syla, tashmë i ndjerë, na u lexuan emrat nga gardianët që të ngrihemi dhe të dalim jashtë. U zgjuam nga gjumi, u ngritëm në këmbë dhe dolëm jashtë sipas urdhrave që i morëm nga gardianët. Kur dolëm në korridor na i lidhën duart pas shpinës. Pas dy apo tre minutash, shokët që i lamë në dhomë kishin dëgjuar dy krisma të armëve aty afër dhe kishin menduar se na kanë ekzekutuar. Këtë ma ka thënë në Nish, pas takimit, Mehdi Ferizi nga Gjakova, i cili, kur më pa, u gëzua shumë që isha gjallë. Asgjë nuk dinim çfarë po ndodhte dhe ku po na dërgonin. Veç një gjë mendonim: se po na dërgojnë për të na vrarë. Këtë e kishim si bindje, sepse jashtë dëgjohej zhurmë e madhe e makinerive të rënda ushtarake dhe një e folur me zë të lartë në gjuhën serbe e ushtarëve dhe paramilitarëve brenda dhe jashtë objektit të burgut të Lipjanit.
Mua e Agronit, pasi na i lidhën duart me lidhëse (sixhim), na dërguan në pavijonin tjetër që e kishim përballë në katin e parë, tek te burgosurit e tjerë shqiptarë. Më vonë e kuptuam edhe arsyen pse na morën nga pavijoni B dhe na dërguan në pavijonin tjetër. Qëllimi ishte se në autobusin që do të na barte për në burgjet e tjera, kishte vend edhe për dy të burgosur.
Në mëngjes na bënë bashkë dhe pas shpinës na i lidhën duart të gjithëve me litar. Deri tek autobusi kemi shkuar duke vrapuar me kokën poshtë, pa guxuar të shikojmë anash. Megjithatë, nga pak shikonim çfarë ndodhte në oborr të burgut dhe jashtë tij. Aty ishin mbledhur plot ushtarë me uniforma, disa prisnin ulur e disa në këmbë duke pirë cigare. Gjatë kësaj rruge, duke vrapuar një i burgosur që ishte para meje, tha: Po më duket po na lëshojnë. Po na dërgojnë për Shqipëri. I besova, sepse kisha dëshirë të jetë ashtu por, kur iu ofruam autobusëve, pamë mbishkrimin e kompanive Nish Express dhe Llasta. Nga autobusët kuptova që neve po na transferojnë për në Serbi e jo për në Shqipëri. Ashtu ndodhi. U mbushën autobusët me rreth 1 000 të burgosur që ishim pengje dhe u nisën për në Serbi.
Gjatë rrugës për në Nish ishte bërë kolonë e gjatë e mjeteve motorike. Përpos nesh që ishim në autobus, kishte edhe shumë kamionë, traktorë dhe vetura që ishin përplot me popullsi civile dhe shiheshin njerëz me uniforma ushtarake dhe policore.
Disa mjete motorike ishin të mbushura me gjësende që kishin plaçkitur paramilitarët nëpër shtëpitë e shqiptarëve. Në kolonë shiheshin edhe shumë tanke e kamionë ushtarakë që iknin me ne. Këto gjëra i shihnim tinëz, sepse kush kishte guximin ta çonte kokën lart. Ne nuk dinin se kah po shkonim dhe as ata qytetarë çfarë janë, por kur shihnim se edhe ushtria po vjen pas nesh, e dinim se diçka kishte ndodhur. Që nga Lipjani e deri në burgun e Nishit nuk i kanë ndalur rrahjet ndaj nesh, gardianët serbë. Pas disa orësh udhëtim të mundimshëm në autobus, policia dhe ushtria serbe që ushtronin dhunë ndaj nesh, duke na rrahur, arritëm në burgun e Nishit. Aty u ndalën shumë autobusë. Autobusi ku isha unë ishte i fundit që zbritëm. Të tjerët pas nesh u nisën për në burgjet e tjera, sepse tashmë burgu i Nishit u mbush me rreth 500 të burgosur. Pasi u mbush kati i parë me të burgosur, filluan ti vendosin edhe në katin e dytë, pastaj na erdhi radha neve për tu vendosur në katin e tretë. Aty kishte gjashtë dhoma të mëdha. Na futën nga 50 të burgosur në një dhomë që ishte pa shtretër dhe u ulëm në tokë. Unë pata fatin të vendosëm në dhomën numër 13 me 49 të burgosur të tjerë.
10 qershori i vitit 1999 ishte shumë i nxehtë, por ne mbanim të gjitha rrobat e veshura në mënyrë që të mbrohemi nga dhuna që ushtronin policia dhe ushtria serbe me shkopinj gome në trupin tonë. Na kishte marrë etja shumë për ujë. Gardianët grupe-grupe na dërguan te çezmat për të pirë ujë. Ende pa filluar të pimë ujë, gardianët thoshin: “Mbaroi rendi juaj, tani të tjerët. Më pas na sollën bukë dhe një supë të hollë e të nxehtë, që të përvëlonte. Nga etja që kishim për ujë, pinim supë të nxehtë. Në çdo mënyrë na maltretonin, edhe përmes ushqimit. Ka qenë ditë e rëndë dita e parë në burgun e Nishit.
Në orën 15:00 nga mikrofonat që gjendeshin në dhomat e të burgosurve dëgjuam lajmet në gjuhën serbe, ku u dha lajmi i mirëpritur për ne shqiptarët e burgosur. Ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, përmes një deklarate kumtoi lajmin për përfundimin e luftës në Kosovë dhe e njoftoi popullin serb, kinse për fitoren e tyre të madhe ndaj NATO-s në Kosovë. Rat je Zavershen, tha ai, kurse ne shpërthyem në lot gëzimi dhe urimi. Aty e kuptuam që lufta kishte mbaruar dhe aty morëm vesh se ne tanimë jemi pengjet e Serbisë, ndërsa Kosova më në fund u çlirua nga Serbia.
(Autori ka qenë i burgosur në burgun e Pejës, të Dubravës, të Lipjanit, të Leskovcit dhe të Nishit)